Drejtësia

Vranë babain dhe e groposën në oborr, tre fëmijët e familjes Meta dalin para gjykatës

Gazeta Si - Këtë të hënë pritet të dalin para Gjykatës së Durrësit për t'u njohur me masën e sigurisë 3 fëmijët e Pëllumb Metës, të cilët akuzohen për vrasjen e babait të tyre.

Orari nuk është përcaktuar ende, por në orët në vijim pritet të përcaktohet se kur do të mbahet kjo seancë, ku Prokuroria pritet të kërkojë për ta masën e “arrestit në burg”.

Tre fëmijët e viktimës Pëllumb Meta pritet të përballen me akuza të rënda në gjykatë. Në dosjen e policisë që iu dërgua prokurorisë, 25-vjeçari Hysen Meta dyshohet për veprën “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim. Gjithashtu ndaj tij pritet të ngrihen dhe akuzat “Armëmbajtje pa leje dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”. Sipas policisë ai ka qëlluar babanë e tij me 4 plumba dhe nëse shpallet fajtor rrezikon deri në burgim të përjetshëm sipas nenit 79 pika c të Kodit Penal.

Dhe për Hygerta Metën, studenten 19-vjeçare, janë ngritur dy akuza: “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”. Duke qenë se Kodi Penal nuk parashikon burgim të përjetshëm për gratë, Hygerta rrezikon dënimin nga 20 deri në 35 vite burg.

Për vëllain e vogël, 21-vjeçarin Amarildo Meta dyshohet se ka kryer veprën penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”. Ai rrezikon dënim nga gjobë deri në 5 vite burg nëse shpallet fajtor.

Për bashkëshorten e viktimës, hetimet vazhdojnë në gjendje të lirë. Policia thotë se ajo dyshohet se ka kryer veprën “Veprime qe pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Në Kodin Penal kjo vepër parashikon gjobë deri në 3 vite burg.

Sipas dosjes hetimore, versioni që vrasja ka ndodhur për shkak të një fejese të padëshiruar nga vajza, Hygerta Meta është rrëzuar prej familjes ku mendohej se do të fejohej vajza 19-vjeçare.

Të pyetur nga policia ata kanë pohuar se pavarësisht dëshirës së tyre për të lidhur krushqi me familjen Meta, i ati vajzës Pëllumb Meta ua kishte bërë të qartë se krushqia nuk mund të bëhej pasi vajza do të vazhdonte shkollën dhe nuk kishte plane për ta fejuar.

Nga hetimet e policisë, deri më tani rezulton se djali i madh, Hysen Meta ka qëlluar me 4 plumba babain e tij, duke i shkaktuar atij vdekjen, ndërsa vëllai dhe motra ndihmuan në mbledhjen me plastmas të trupit dhe më pas groposjen e tij.

Në dosje thuhet se “Në interes të hetimeve u janë marrë deklarime dhe shtetasve O Q. , R. Q. E. Q. ku shtetasja E. Q ka deklaruar se ka pasur dëshirë që të lidhte krushqi me familjen e viktimës por që ky i fundit nuk ka pranuar pasi vajza do të vazhdonte shkollën dhe nuk ka pasur plane për ta fejuar”.

Nga ana tjetër Blerina Meta, nëna e tre fëmijëve të arrestuar, vendndodhja e të cilës mbahet sekret për shkak të sigurisë, ndodhet nën hetim në gjendje të lirë e dyshuar se kreu veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Blerina Meta vazhdon ta mohojë që ishte në dijeni të ngjarjes, pavarësisht se në një nga dëshmitë e shumta që vajza ka dhënë mbi ngjarjen, dhe që prokuroria e ka pjesë të dosjes, thuhet se e ëma, kur ka ardhur në banesë ka ngelur e tronditur nga ajo që kishin bërë fëmijët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë