Ngjarje

Votimi me postë dhe dilema e amerikanëve në Shqipëri nëse po sjell “krizë”…

Sipas të dhënave të bëra publike këtë të mërkurë, Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuara nuk arriti të dorëzojë mijëra fletë votimi të munguara në të gjithë vendin brenda orarit të përcaktuar për dorëzimin e tyre.

Diçka e tillë është tepër e dukshme sidomos në Florida, ku 27 përqind e votave të postës ka të ngjarë që nuk janë deklaruar.

Megjithatë, këto statistika mund të mos tregojnë të tërë historinë.

Sipas raportimeve në median lokale, të martën, fletët e votimit nuk po skanoheshin për dorëzim në një përpjekje për të shpejtuar procesin.

“Ajo çfarë do të thotë diçka e tillë është që statistikat mund të duken më keq sesa janë në të vërtetë, sepse në disa raste punonjësit e postës, për shembull, kanë shënuar manualisht fletët e votimit dhe më pas i kanë kaluar ato për dorëzimin lokal të ditës së nesërme”, shprehet reporteri i “Vice News”, Aaron Gordon.

Sipas tij, masa të tjera, si dërgimi i fletëvotimeve në stacionin e përzgjedhjes dëshmojnë që ka probleme me votat.

“Fletët e votimit janë skanuar në hyrje, por jo në dalje nga posta. Ato kanë mbetur brenda zyrave të postës, pa u dërguar në destinacion, ndërkohë që dëshmohet hyrja me dokumentet e skanimit”

“Muaj më parë, shefat e mi dhe unë u takuam dhe fjalë për fjalë thamë se “do të ishte mirë të dinim saktësisht se si do të funksiononte USPS në Ditën e Zgjedhjeve.

Kjo është arsyeja pse kam kaluar muaj të tërë që kam thënë dhe po them dhe tani se nuk ka të dhëna të mira të votave të munguara”, - shton Gordon.

Shtetet e Bashkuara janë ende në pritje të një rezultati final, por pavarësisht rezultatit, një gjë duket e sigurt: Amerika po shkon drejt një periudhe kaotike pas zgjedhore, që përmban akuza për mashtrim me votat, një mal me fletë votash të refuzuara dhe pyetje serioze në lidhje me drejtësinë e procesit zgjedhor - saktësisht e kundërta e asaj që i duhet vendit pas muajsh të tërë bllokimesh ekonomike, trazirash të dhunshme dhe situatës së pandemisë.

“Ne jemi nga SH.B.A. dhe jemi këtu në Shqipëri për shkak të kësaj situate. Është e turpshme dhe donim të shkonim larg, shumë larg prej gjithë kësaj. Në këtë pikë, pavarësisht nga rezultati përfundimtar, kjo situatë thotë shumë gjëra në lidhje me zgjedhjet, vlerat dhe sjelljet e amerikanëve, që nuk i pranojmë dhe kurrë nuk do t'i pranojmë ose kuptojmë. Unë jam veterane dhe kam shërbyer me krenari në disa pozicione qeveritare: që nga avokat në gjykatës, përpara se të dilja në pension dhe të ikja jashtë SHBA-ve. Dhe është një lehtësim për mua që tani jam në Shqipëri”,- shprehet për gazetën “Si”, Sharrell Kline, një qytetare amerikane, e cila ka vetëm pak kohë që është zhvendosur për të jetuar në Shqipëri.

Si funksionon votimi me postë

“Bashkëshorti im dhe unë kemi banuar në shtetin e Uashingtonit para se të transferoheshim në Shqipëri në tetor. Në atë shtet ata kanë votuar 100% me postë për disa vjet. Çfarë do të thotë kjo është që në vend që të ketë vende votimi, ku dikush shkon për të hedhur votën e tij në një kabinë votimi, të gjitha fletët e votimit u janë dërguar votuesve të regjistruar me postë. Sapo fleta e votimit mbushej, nënshkruhej e vendosej në zarf, ai zarf nënshkruhej dhe vulosej dhe më pas vendosej në një zarf të dytë postar dhe mund të zgjidhje ose të vendosje fletën e votimit në postë, ose ta çoje fletën e votimit në një kuti të kuqe të vendosur afër zonës së banimit ose ta çoje zarfin në selinë e kontesë dhe ta hidhje në një kuti jashtë qendrës së kontesë”,- shpjegon Kline.

Ajo bën me dije se “Çdo metodë kërkonte që fletët e votimit të futeshin në kuti ose të vuloseshin nga zyra postare në ditën e zgjedhjeve ose para kësaj dite”.

Kline shpjegon për gazetën “Si”, se në shumë shtete, mënyra e vetme për të votuar me postë ishte të ndodheshe jashtë qytetit dhe të kërkoje të “votoje me postë” (vote by mail) ose me “fletë votimi të munguar” (absentee ballot).

“Mendoj se të 50 shtetet e kanë këtë lloj votimi. Kështu që në këtë periudhë të COVID shumë shtete ndryshuan ligjet e tyre, gjë që do të thotë se tashmë mund të votosh me postë edhe nëse nuk je jashtë shtetit. Nëse dikush kishte frikë se mund të infektohej nga COVID duke votuar personalisht, mund të kërkonte të votonte me postë.”

Kline, e cila është juriste në profesion shpjegon se në këtë mënyrë shumë shtete morën përmes votimit me postë miliona më shumë vota se zakonisht. Pikërisht për shkak të votimit në këtë mënyrë, sipas saj, shtete si Pensilvania nuk po arrijnë të numërojnë votat lehtësisht.

Një problem dytësor me fletët e votimit me postë sipas Kline është edhe ajo që Presidenti Trump bëri me Shërbimin Postar të Shteteve të Bashkuara.

“Gjatë verës ai caktoi një mik si kreun e USPS dhe ajo që bëri miku i Trump ishte se filloi menjëherë të bëjë ndryshime, që do të ngadalësonin shërbimin postar. Shumë prej nesh besuan se kjo ishte për shkak se ai donte të kishte më pak votime përmes postës, sepse ai u kërkonte votuesve të tij të mos votonin me postë, por të votonin personalisht. Kështu që shokut të tij iu hoqën makineritë e shpejta të renditjes së postave dhe u hoqën kutitë e postave nga qytetet.

Kjo pati përballje gjyqësore dhe ishte një rrëmujë e vërtetë, por rezultati ishte që shërbimi postar u ngadalësua, me shpresë se miliona fletëvotime nuk do të numëroheshin në kohë. Dhe tani, ne shohim Trump që përpiqet të ndalojë numërimin e fletëve të votimit të hedhura me postë.”

Votimi i amerikanëve nga Shqipëria

Ndërsa përsa i përket votimit me postë që nga Shqipëria, Kline shpjegon se ekziston një mënyrë tjetër për të votuar nëse jeton jashtë shtetit ose është në ushtri jashtë shtetit.

“Nëse jeton jashtë shtetit apo shërben në ushtri jashtë SHBA mund të votosh duke shkarkuar fletëvotimin nga interneti, e printon, e plotëson, e nënshkruan, e skanon dhe e dërgon. Në shtetin e Uashingtonit ekziston një site, ku mund të identifikoheni dhe të shihni nëse fleta juaj e votës është marrë. Gjithashtu mund të shihni edhe nëse është pranuar me sukses, që do të thotë se nënshkrimi juaj përputhet me atë në dosje, se keni mbushur fletën e votimit dhe fletëvotimi juaj është verifikuar. Nëse dikush kontrollon sitin dhe sheh që nuk është kështu deri në ditën e zgjedhjeve, atëherë mund të kërkojë të bëjë korrigjimet e nevojshme. Kështu që, unë dhe bashkëshorti im i plotësuam fletët tona të votimit, i dërguam përmes kompjuterit dhe ishim në gjendje më pas që të verifikonim, që ishin pranuar”

Përsa i përket Pensilvanisë, Kline nënvizon se “legjislatura republikane nuk lejoi që fletët e votimit të hapeshin, të renditeshin dhe të fillonin numërimin deri në ditën e zgjedhjeve, ndërsa shtetet e tjera i hapën dhe i renditën dhe filluan të numërojnë votat para ditës së zgjedhjeve”

“Republikanët nuk i lejuan ata të fillonin hapjen dhe numërimin e fletëve të votimit deri në ditën e zgjedhjeve dhe presidenti po përpiqet të ndalojë numërimin e tyre, duke thënë se fletët duhet të ishin numëruara të gjitha në ditën e zgjedhjeve. Ky është një pohim i rremë sepse kurrë nuk ka qenë kërkesa që të gjitha fletët e votimit të hedhura deri në ditën e zgjedhjeve të numërohen në ditën e zgjedhjeve.”,- përfundon Kline.

Ndërsa David Schultz, i cili ka jetuar për disa kohë në Shqipëri ka zgjedhur që të udhëtojë drejt Pensilvanisë për të votuar.

“Shkova në vendin e votimit dhe votova. Nuk i besoj votimit me postë. Votimi me postë përdorej për personelin ushtarak, që për arsye pune ishte në lëvizje. Tani është manipuluar për njerëz që nuk mund të shkojnë në votime për shkak të një paaftësie, ose thjesht janë shumë dembelë për të qëndruar në radhë. Është gjithashtu një mënyrë që shtetet të dalin me rezultate mashtruese të votave”,- shprehet ai për gazetën “Si”.

Pasiguria e pritshme në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve buron nga vendimi i shteteve për të lejuar votimin e përhapur përmes postës, një lëvizje që hap derën e mashtrimit dhe abuzimit dhe që mund të rezultojë në miliona fletëvotime të hedhura nga zyrtarët e zgjedhjeve shtetërore dhe kombëtare.

Megjithatë jo të gjithë votuesit apo qytetarët amerikanë ndajnë të njëjtin mendim.

Sipas Gordon Jones, i cili votoi me postë që nga Shqipëria në Maryland, SHBA, “Posta është shumë e sigurt dhe nuk ka probleme ligjore”.

Të njëjtin mendim ndan edhe bashkëshortja e tij, Sydney.

“Pretendimet për të kundërtën janë shpikur. Në të vërtetë nuk ka një mosmarrëveshje, vetëm një bandë pretendimesh të rreme nga Trump. Mbi të gjitha ai ka gënjyer popullin amerikan mbi 15,000 herë në 4 vjet. Gënjeshtrat e tij rreth postës në votim janë vetëm më shumë gënjeshtra.”

Për Gordon, i cili ka punuar si avokat dhe gjykatës e që tani është në pension, “Për disa shtete, si Oregon dhe Uashingtoni votimi me postë është mënyra e vetme për të votuar.”

“Ata e kanë bërë këtë për vite me radhë. Në fakt, çdo shtet ka votuar në mungesë për dekada.

 Ka pasur disa çështje me USPS (Shërbimi Postar i SHBA), të shkaktuara nga kreu i USPS, duke qenë një lojtar politik i Trump që tërheq mashtrime të ndyra për të ngadalësuar dorëzimin e fletëve të votimit. Posta në votim është më e lehtë, po aq e sigurt dhe shumë më e sigurt gjatë një pandemie.”, - komenton ai.

Ai pohon se shumë fletëvotime mungojnë, thjesht sepse shumë fletëvotime nuk u skanuan.

Para shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, vetëm një numër i vogël shtetesh lejuan të gjithë votuesit e regjistruar të zgjedhin të votojnë përmes një votimi me postë.

Por pas shpërthimit, pothuajse çdo shtet i hoqi rregullat e votimit të munguar, duke e bërë më të lehtë se kurrë të votosh nga shtëpia, ku është shumë më e vështirë për zyrtarët të verifikojnë identitetin e votuesit.

Vetëm pesë shtete: Indiana, Louisiana, Mississippi, Tennessee dhe Texas nuk lejuan që votuesit të hedhin votat e tyre nga shtëpia për shkak të frikës nga koronavirusi.

Çdo shtet tjetër përcaktoi që votuesit duhet të ishin në gjendje të hidhnin votat e tyre pa shkuar në një vend votimi.

Disa shtete madje vendosën të dërgojnë fletëvotime me postë edhe tek njerëzit që nuk e kërkuan diçka të tillë. Në nëntë shtete dhe në Distriktin e Kolumbisë, çdo zgjedhës i regjistruar aktiv ka marrë automatikisht një fletë votimi këtë vit, që, sipas Justin Haskins, “do të thotë se dhjetëra miliona vota u janë dërguar tashmë njerëzve që i kanë përdorur ato ose jo, duke e bërë më të lehtë se kurrë mashtrimin me votat.”

Për më tepër, 26 shtete i lejojnë votuesit të caktojnë dikë tjetër për të hedhur fletët e tyre të votimit, një praktikë e quajtur zakonisht “vjelja e votave”.

“Vjelja e votave është shumë shqetësuese, sepse në shumicën e vendeve, nuk ka asnjë mënyrë që votuesit të dinë nëse fletët e votimit që i kanë dhënë një partie të tretë në të vërtetë janë numëruar ashtu siç duhet apo janë hedhur në kosh apo janë djegur. Më tej, vjelja e fletëve të votimit lejon që palët e treta të pandershme të manipulojnë fletët e votimit përpara se t'i dorëzojnë ato.”

Në 2018-ën në një garë për kongres në Karolinën e Veriut, një mashtrim lidhur me vjeljen e votave njollosi rezultatet e zgjedhjeve, të cilat u përmbysën përfundimisht.

Gjatë zgjedhjeve paraprake të vitit 2020 në Neë York City, më shumë se 20 përqind e të gjitha fletëvotimeve me postë u shpallën të pavlefshme nga zyrtarët e zgjedhjeve sepse përmbanin gabime ose informacione jo të plota.

Në Pensilvani, 37 000 fletëvotime u hodhën përpara dhe pas afateve primare të vitit 2020 dhe sipas një analize nga NPR, më shumë se 550 000 vota në të gjithë vendin u refuzuan gjatë së njëjtës periudhë.

Nëse gjysma e të gjitha votave të hedhura në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2020 janë përmes postës – (një vlerësim i arsyeshëm, duke marrë parasysh se një e katërta e të gjitha votave të pavlefshme në 2016-ën ishin përmes postës dhe në përputhje me atë që ka ndodhur në shumë gara primare gjatë 2020-ës), atëherë 5 - 10 përqind e të gjitha votave të hedhura në vitin 2020 mund të refuzohen, duke minuar rëndë vlefshmërinë e perceptuar të zgjedhjeve.

Për më tepër, pavarësisht nëse mashtrimi i votuesve dhe refuzimet e votave ndikojnë në të vërtetë në rezultatin e garave kryesore politike, perceptimi do të jetë pothuajse me siguri se zgjedhjet e vitit 2020 janë të njollosura.

Ndërkohë, të dy krahët, Republikanët dhe Demokratët po fajësojnë votimin përmes postës dhe po flasin për mashtrim dhe vjedhje. Ligjet në shumë shtete i kanë hapur derën pasigurisë, spekulimeve të egra dhe supozimeve të dyta në një shkallë që Shtetet e Bashkuara nuk e kanë provuar kurrë më parë.

Sipas Justin Haskins, “Amerika tashmë është e ndarë thellë. Zgjedhjet e zhytura në polemikë vetëm se po thellojnë ndarjen dhe po e bëjnë më të vështirë se kurrë shërimin e plagëve të vjetra politike, kulturore dhe shoqërore. Populli amerikan duhet të kërkojë më shumë nga zyrtarët e tij të zgjedhur, përndryshe ky vend nuk do të jetë kurrë në paqe.”

Nga miliona njerëz që votuan me postë për herë të parë këtë vit, ekspertët presin më shumë gabime dhe më shumë fletëvotime të refuzuara. Në zgjedhjet paraprake të vitit 2020, më shumë se 550,000 vota postare dhe ato që mungojnë u skualifikuan, një numër shumë më i lartë se katër vjet më parë.

Problemi është veçanërisht i rëndë në disa shtete. Më shumë se 23,000 fletë votimi të postuara u refuzuan në zgjedhjet paraprake presidenciale në Ëisconsin - më shumë sesa marzhi i fitores së Donald Trump në atë shtet në 2016.

Edhe distriktet blu të demokratëve kanë pasur të njëjtin problem: vetëm qyteti i Nju Jorkut shpalli të pavlefshme më shumë se 84,000 vota në sezonin primar të votimeve në pranverë.

Votimi me poste, një refrencë për diasporën shqiptare

Zgjedhjet në SHBA dhe votimi me postë mund të jenë një referencë edhe për mënyrën se si mund apo nuk mund të votojë diaspora shqiptare gjatë zgjedhjeve në Shqipëri, apo se si mund të votojnë qytetarët, që nuk janë në diasporë, por që ndodhen larg vendbanimit.

Pavarësisht kritikave për votimin me postë ky lloj votimi ka të mirat e veta.

Ndërkohë, të gjithë ata që abuzojnë me fletët e votimit të postës mund të përballen me gjoba të majme apo të burgosen.

Në shtetet që lejojnë votimin me postë, votuesi shkruan, telefonon ose shkon në internet për të kërkuar një fletë votimi nga autoriteti i tyre lokal i zgjedhjeve.

Në disa vende, votuesit duhet të justifikojnë se pse mungojnë fizikisht në votim: përshembull kanë qenë të sëmurë ose jashtë shtetit në Ditën e Zgjedhjeve.

Në vende të tjera, votuesit nuk kanë nevojë të kenë një arsye specifike për mungesën në votim dhe ka raste kur shteti ofron mundësinë e votimit, duke dërguar fletëvotimet e munguara te të gjithë votuesit e regjistruar.

Shumë shtete janë duke lëvizur drejt këtij sistemi votimi.

Ndërsa bëjnë kërkesën, votuesit duhet të japin emrin dhe adresën e tyre. Pas marrjes së kërkesës, autoritetet lokale të zgjedhjeve i dërgojnë një fletë votimi votuesit në adresën e shtëpisë dhe sigurojnë një zarf sigurie për fletën e votimit, ku do të mbahet zgjedhja e votës private dhe një zarf tjetër në të cilin vendoset fleta e vulosur. Votuesi nënshkruan pjesën e jashtme të zarfit të dytë, për të vërtetuar se ai ose ajo është një zgjedhës i regjistruar.

Pas marrjes së fletës së votimit me postë, autoritetet lokale të zgjedhjeve kontrollojnë emrin e votuesit, për t’u siguruar që personi është i regjistruar për të votuar dhe po voton nga adresa e regjistruar në autoritetin zgjedhor.

Pas vërtetimit të këtyre fakteve, ata heqin fletën e votimit të mbyllur nga zarfi i jashtëm që përmban nënshkrimin e votuesit në mënyrë që preferencat e votuesit të mbeten konfidenciale. Në Ditën e Zgjedhjeve, shtetet numërojnë fletët e votimit dhe shtojnë rezultatet në votat e atyre individëve që hedhin votat e tyre personalisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë