Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen shprehu mbështetjen për marrëveshjen përmes së cilës Shqipëria do të presë mijëra emigrantë të kapur në det dhe të transferuar atje nga autoritetet italiane, megjithëse Gjykata Kushtetuese shqiptare vendosi të marrë në shqyrtim çështjet ligjore të marrëveshjes duke e vonuar futjen në fuqi të saj.
Në një letër drejtuar udhëheqësve të BE-së, që filluan një takim të nivelit të lartë të enjten në Bruksel, zonja von der Leyen vlerësoi “nismat e rëndësishme” për kufizimin e migracionit nga disa prej 27 vendeve anëtare të bllokut, përfshirë “marrëveshjen operacionale midis Italisë dhe Shqipërisë”.
“Ky shërben si një shembull i të menduarit jashtë normave tradicionale, mbështetur në ndarjen e drejtë të përgjegjësive me vendet e treta në përputhje me detyrimet sipas BE-së dhe ligjit ndërkombëtar”, shkroi zonja von der Leyen, në një letër që përshkruan përparimin e bërë për ndalimin e hyrjes pa autorizim brenda bllokut evropian.
Sipas marrëveshjes pesëvjeçare që u nënshkrua muajin e kaluar, Shqipëria do të strehonte deri në 36,000 emigrantë për një vit, ose rreth 3,000 në muaj, të cilët përpiqen të hyjnë në Itali pa dokumentacionin e duhur, kryesisht në udhëtime të rrezikshme përmes detit.
Marrëveshja do të përfshinte njerëz që janë shpëtuar ose “kapur” nga marina italiane në ujërat ndërkombëtare. Ata emigrantë të kapur në ujërat territoriale të Italisë do të ruajnë të drejtën e tyre, sipas ligjit ndërkombëtar dhe të BE-së, për të aplikuar për azil në Itali dhe gjithashtu do të shqyrtohen kërkesat e tyre atje.
Shqipëria do t’i strehonte emigrantët në dy objekte, njëra në portin e Shëngjinit, ku do merren të dhënat personale dhe bëhet verifikimi i parë i migrantëve, dhe tjetra në Gjadër, ndërsa Italia do të përshpejtonte kërkesat e tyre për azil. Italia do të mbetet ligjërisht përgjegjëse për migrantët gjatë gjithë procesit. Roma do t’i mirëpriste ata nëse do t’u jepej mbrojtje ndërkombëtare ose do të organizonte kthimin mbrapsht nga Shqipëria nëse u refuzohet kërkesa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.