Drejtësia

Pezullimi i marrëveshjes për emigrantët, kryetarja e GJK, Holta Zaçaj: Dy janë pikat kritike, duhet verifikim i kushtetueshmërisë

Gazeta Si - “Zakonisht nuk flas me shtypin, por e kuptoj që kjo çështje është e rëndësishme dhe delikate jo vetëm për ne, por edhe për Italinë dhe ndoshta është e drejtë të sqarohen pak gjërat”, tha Holta Zaçaj, kryetare e Gjykatës Kushtetuese gjatë një bisede telefonike me gazetën italiane, "Corriere della Sera".

Zaçaj doli drejtpërdrejt në TV pasditen e të mërkurës për të shpjeguar pse marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët nuk mund (ende) të ratifikohet.

Kryetare, të sqarojmë ndërkohë pyetjen: a i thotë Gjykata Kushtetuese “jo” marrëveshjes Romë-Tiranë?

Jo. Procesi që çon në ratifikimin e marrëveshjes është pezulluar, pasi mbi një e katërta e deputetëve shqiptarë na kanë kërkuar të kontrollojmë kushtetutshmërinë ose jo të protokollit të nënshkruar mes dy vendeve.

Ne kemi vlerësuar se ankesa i plotëson kriteret e pranueshmërisë dhe sipas rregullores sonë, kjo sjell automatikisht ndërprerjen e procedurave parlamentare për ratifikimin. Por dua të sqaroj: ne nuk kemi hyrë në brendësi të protokollit të nënshkruar.

Çfarë kontestojnë tridhjetë deputetët?

Në thelb dy aspekte. E para: mosrespektimi i pretenduar i procedurës së negociatave dhe nënshkrimit.

Sipas tyre, kjo lloj marrëveshje kërkon autorizimin e presidentit, pasi prek çështje territoriale. Shkurt, për ta nuk mund të jetë një marrëveshje mes qeverive, por mes shteteve.

Dhe aspekti i dytë?

Sipas tyre, protokolli mund të çojë në shkeljen e të drejtave të njeriut.

Pse nxitet pezullimi automatik i procesit parlamentar?

Sepse pas ratifikimit, Gjykata - sipas rregullave tona - nuk mund të kontrollojë më legjitimitetin ose jo të marrëveshjes. Dhe ankimi ngre dyshime për kushtetutshmërinë e protokollit.

A do të hyjë Gjykata në seancën e 18 janarit në themel të marrëveshjes Rama-Meloni?

Na kërkohet një gjë e tillë, duhet ta shqyrtojmë në detaje protokollin për ato dy pika të ngritura nga një e katërta e Kuvendit të Shqipërisë. Por e përsëris: ne nuk kemi hyrë vërtet në këtë çështje.

Ka nga ata që i frikësohen lëvizjeve të opozitës për t'ju detyruar të shtyni vendimin.

Dy palët do të duhet të dërgojnë dokumentacionin brenda datës 4 janar 2024. Dhe nga dita e ankimimit (6 dhjetor 2023) kemi maksimum tre muaj për të marrë vendim. Në rastin konkret do të thotë se deri më 6 mars 2024, Gjykata duhet të thotë nëse marrëveshja është legjitime apo jo.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë