Lojëra me Dore

Volejbolli në “ajër”, Arben Sako: Gati të luajmë, Erzenit i takon titulli

Federata Shqiptare e Volejbollit zhvilloi më 12 qershor Asamblenë e Përgjithshme, ku u diskutua për fatet e këtij sezoni. Kjo asamble përcaktoi datën 23 qershor si afatin e fundit për zhvillimin e fazës finale të sezonit në parket. Nëse ndeshjet e “Play-off”-it nuk do të fillojnë brenda kësaj date, atëherë sezoni mund të konsiderohet i mbyllur këtu.

Klubet pjesëmarrëse dhe Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV), janë të predispozuar për mbylljen e garës në parket dhe jo në tavolinë, por gjithçka është në dorë të Institutit të Shëndetit Publik dhe qeverisë shqiptare, që nuk e kanë miratuar protokollin e rregullave, siç bënë me futbollin kohë më parë. Çështja më e debatuar në këtë moment është se nuk do të ketë ekipe kampione, nëse ndeshjet nuk do të zhvllohen. Pra, nuk do të jepet trofeu i kampionit për Erzenin te meshkujt dhe Mirditën te femrat, dy skuadrat që kryesojnë kampionatet përkatëse.

Nga Asambleja e Përgjithshme e Federatës së Volejbollit. Gazeta Si, 16 qershor 2020

Arben Sako, trajneri i Erzenit dhe i Kombëtares U-20 të meshkujve, për Gazeta Si pohon se së pari shpreson që të luhet “Play-off”-i. “Ne jemi gati që t’i luajmë ndeshjet në parket. Skuadra është në gjendje të mirë dhe presim të ketë një vendim pozitiv më 23 qershor, kur është afati i fundit. Nëse ndeshjet nisin në këtë datë, atëherë kemi kohë që deri më 14 korrik ta mbyllim sezonin, siç kërkon Federata Ndërkombëtare e Volejbollit. Por nuk është në dorën tonë dhe duhet të presim vendimin. Erzeni është plotësisht gati për t’i luajtur ndeshjet e mbetura, siç dëshirojnë edhe skuadrat e tjera”, - shprehet trajneri Sako.

Shijakasit kanë dy lojtarë të huaj në përbërje dhe që të dy kanë qëndruar në vendin tonë gjatë kësaj periudhe. Erzenin kryeson bindshëm kampionatin, 8 pikë para Partizanit rival.
Çështja e titullit kampion, nëse nuk do të ketë rikthim të skuadrave në parket, është ajo që ha më shumë diskutime. Vendit të parë, Erzenit në këtë rast, i njihen të gjitha atributet e ekipit kampion, por nuk i jepet trofeu i titullit dhe kjo gjë, sipas trajnerit Arben Sako, është krejtësisht e padrejtë.

Trajneri Arben Sako me ekipin e Erzenit. Gazeta Si, 16 qershor 2020

“Po, është diskutuar që nuk do të jepet titulli kampion, nëse kampionati mbyllet këtu. Nuk është e drejtë, sezoni duhet parë në total, ne kemi kryesuar nga dita e parë e deri tani dhe e meritojmë trofeun. E ritheksoj, dua ta fitojmë duke luajtur në fushë, por nëse qeveria nuk jep miratimin dhe sezoni mbyllet këtu, nuk ka sens që të mos na jepet titulli dhe trofeu i kampionit. Bashkia e Shijakut dhe sponsorët kanë investuar për këtë sezon dhe duhet të shpërblehen me trofeun e titullit, është diçka shumë logjike. Le të presim, me shpresën që të luajmë ndeshjet e “Play-off”-it”, - thotë trajneri Sako për Gazeta Si.

Të njëjtin qëndrim me Erzenin sa i takon çështjes së titullit kampion, ka edhe Mirdita, skuadra e femrave në volejboll. Nëse vendoset për zhvillimin e ndeshjeve, natyrisht pa publik, do të luhet një sistem “Play-off”-i i reduktuar, ku Erzeni, si kryesues, do t’i luajë ndeshjet në fushën e tij. Në rast të një mbylljeje të sezonit në tavolinë, polemikat e trofeut me siguri do të jenë të shumta. Tani të gjithë presin datën 23 qershor.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë