Lojëra me Dore

Volejbolli mbyll sezonin pa kampionë, por kryesuesit shkojnë në Europë

Sezoni i volejbollit, për të dyja kategoritë, meshkuj dhe femra, konsiderohet i mbyllur. Federata Shqiptare e Velejbollit e ka bërë të ditur lajmin me një njoftim në faqen e saj zyrtare, ku saktëson se nuk do të ketë ekipe kampione. Erzeni për meshkuj dhe Mirdita për femra, dy skuadrat e vendeve të para në momentin e ndërprerjes, kanë të gjitha atributet e kampionit dhe mund të marrin pjesë në Kupat e Europës, nëse dëshirojnë, por atyre nuk do t’u dorëzohet trofeu i kampionit.

23 qershori ishte data e fundit për rinisjen kampionatit, e përcaktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Volejbollit pak kohë më parë. Qeveria nuk e dh miratimin, duke i lënë të pezulluara aktivitetet në salla të mbyllura, ndaj dhe FSHV-ja ka marrë vendimin për mbylljen e sezonit. Mosdhënia e trofeut të kampionit justifikohet me faktin se volejbolli ka specifikën e vet dhe ajo që vendos për titullin është faza e play-off-it, që nuk u bë e mundur të zhvillohej. Sigurisht, Erzeni dhe Mirdita nuk janë aspak të kënaqur nga ky vendim, ndërkohë që duhet të vendosin, nëse do të marrin pjesë në Kupat e Europës apo jo.

Njoftimi i FSHV-së në faqen e saj zyrtare
Në vijim të situatës së pandryshuar për shkak të COVID-19, e duke qenë se deri më sot është akoma në fuqi Urdhëri i MSHMS-së "Për kufizimin e aktiviteteve sportive në sallat e mbyllura", si dhe në respekt të skadencës së vendosur nga Asambleja e 31-të e FSHV-së për datën 23 qershor 2020, Komiteti Ekzekutiv vendosi ta konsiderojë zyrtarisht të përfunduar sezonin 2019-2020. Duke u bazuar në klasifikimet përkatëse, shpallen fituesit për femra, meshkuj, U-21 dhe U-20 si më poshtë:
1.Mirdita, fitues te femra A1
2.Agritourism Huqi, fitues te femra A2
3.Erzeni, fitues te meshkujt A1
4.Skënderbeu, fitues tek U-20 (të reja)
5.Farka Volley, fitues tek U-21 (të rinj)

Duke iu referuar klasifikimeve në momentin e nderprerjes për kategoritë përkatëse, femra e meshkuj, Komiteti Ekzekutiv vendosi gjithashtu që ekipet fituese, së bashku me ekipet e tjera, si edhe me fituesit e Kupës së Shqipërisë, do të kenë të drejtën të marrin pjesë në Kupat e Europës, sipas rregullave dhe kuotave të përcaktuara nga CEV-i. Ekipet, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në Kupat e Europës, duhet të shprehin interesin e tyre dhe të dorëzojnë dokumentacionin e plotë pranë FSHV-së, brenda datës 15 korrik 2020. Duke shpresuar që kjo situatë pandemie të mos përsëritet më kurrë, ju urojmë shëndet e suksese në sezonin e ardhshëm!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë