Lojëra me Dore

Volejboll/ Vajzat e Partizanit, kualifikim historik në Ligën e Kampionëve

Partizani kualifikohet për në turin e dytë të Ligës së Kampionë në volejboll për femra. Një sukses i madh ky për vajzat e Partizanit, që kanë eliminuar ekipin boshnjak të Bimak-Jedinstvo, duke i fituar të dyja ndeshjet, në Tiranë 3-1 dhe mbrëmë në Bosnjë, 2-3. Kjo është arritja më e madhe në historinë e Partizanit në volejboll femrash, por ende qëndron larg Dinamos së famshme të Tartarit, që vite më parë u fut në 8-shen më të mirë në botë.

Ndeshja e kthimit në Bosnjë ishte e vështirë për vajzat e drejtuara nga trajneri Nejat Sançak. Ato fituan setin e parë 21-25, u barazuan në të dytin 25-19, fituan të tretin bindshëm 18-25, duke siguruar kalimin e turit. Dy setet e tjera të ndeshjes kishin vetëm vlera statistikore, vendëset fituan 25-21 të katërtin dhe Partizani 13-15 setin e pestë dhe të fundit. Në turin e dytë të Ligës së Kampionëve Partizani do të luajë ndaj hungarezeve të Vasas.

Trajneri i Partizanit, Nejat Sançak, aktivizoi në Bosnjë këto lojtare: Beshiri, Blloku, Fagu, Këllëç, Mans, Kushi, Hudeçova, Nezaj, M.Tuci, Basa, Picaku dhe Gjermeni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë