Lojëra me Dore

Volejboll/ Skënderbeu dhe Partizani fitojnë Kupën e Shqipërisë, Tirana dështon dy herë

Gazeta Si – Trofeu i Kupës Shqipërisë ka shkuar për Skënderbeun te femrat dhe te Partizani për meshkujt. Humbësja e dyfishtë është Tirana, që nuk mundi të fitonte asnjë nga finalet e edicionit 2023-2024 të këtij kompeticioni.

Në volejbollin e femrave, Skënderbeu i drejtuar nga trajneri Orlando Koja, mbetet superfuqi. Korçaret kanë mundur 3-1 Tiranën, duke e dominuar finalen. Vetëm pak ditë më parë Skënderbeu kishte fituar edhe trofeun e Ligës “Gjergj Kastrioti”. Korçaret e rrjetës janë gjithashtu pretendente kryesore për titullin kampion në kampionat.

Një fitore bindëse arriti në finalen e meshkujve Partizani, që mundi pastër Tiranën, 3-0. Sfida e zhvilluar në sallën “Feti Borova” ishte e gjitha nën diktatin e Partizanit. Tirana ishte e pafuqishme për të bërë rezistencë, siç tregon edhe vetë rezultati.

Për Partizanin është trofeu i 14-të i Kupës së Shqipërisë. Të kuqtë po udhëheqin edhe kampionatin me pikë të plota, çka tregon qartë forcën e tyre këtë sezon. Tirana, që ishte fituese në fuqi e Kupës, është dorëzuar para rivalëve të saj.

Lojtari i finales u shpall Osman Qepa i Partizanit, autor i 10 pikëve. Mjaft mirë u paraqitën edhe dy lojtarët brazilianë të ekipit të trajnerit Ylli Tomori, Koutinjo dhe Soares.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë