Lojëra me Dore

Volejboll/ Partizani thuajse i eliminuar, s’fiton asnjë set në Hungari

Humbje e thellë për vajzat e Partizanit në volejboll. Në ndeshjen e parë të turit të dytë eliminator në Champions League, ato janë mundur 3-0 nga ekipi hungarez i Vashash Obuda, që do të thotë se shanset e kualifikimit janë minimale, për të mos thënë zero. Është për t’u luajtur edhe ndeshja e kthimit në Tiranë pas një jave, por kundërshtarit i mjafton një set për t’u kualifikuar. Duke parë rezultatin e ndeshjes së parë, vetëm një mrekulli do ta ndihmonte Partizanin për të kaluar turin.

Hungarezet e kanë dominuar ndeshjen. Seti i parë ka përfunduar 25-19, i dyti 25-20 dhe i treti 25-16. Kuptohet qartë se kundërshtari i Partizanit, është i një niveli më të lartë dhe nuk i ka lënë asnjë mundësi ekipit të drejtuar nga trajneri Nejat Sancak, duke i prerë që tani ëndrrën për të shkuar në “play-off”, edhe pse ka edhe një ndeshje për të luajtur.

Nga ndeshja Vashash Obuda-Partizani, 3-0. Gazeta Si, 24 tetor 2019

Në turin e parë eliminator në Champions League, Partizani eliminoi skuadrën boshnjake Jedinstvo dhe ky gjithsesi është një sukses për klubin e kuq dhe volejbollin shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë