Lojëra me Dore

Volejboll/ Kombëtarja i nis me humbje eliminatoret e Europianit, mundet nga Rumania

Kombëtarja e volejbollit për meshkuj ka luajtur sot ndeshjen e parë eliminatore të Europianit, ku është mundur 3-0 nga Rumania. Kuqezinjtë bëjnë pjesë në Grupin E, bashkë me Rumaninë, Sllovakinë dhe Zvicrën dhe ndeshjet zhvillohen në Sllovaki me sistem grumbullimi.

Ndeshja është dominuar nga rumunët, të cilët nuk e vunë në diskutim asnjëherë fitoren. Në total në të tre setet Shqipëria shënoi 52 pikë, kurse rumunët realizuan 75 pikë. Ndeshja e radhës për Kombëtaren tonë luhet më 7 maj ndaj Zvicrës, kurse një ditë më pas është ndeshja me vendësit e Sllovakisë.

Statistikat e ndeshjes. Gazeta Si, 6 maj 2021

Shqipëria e drejtuar nga trajneri Jani Melka luajti me këtë formacion: Anton Qafarena, Osman Qepa, Krist Martiro, Grigor Vasili, Juli Çela dhe Redi Bakiri. Në stol ishin të gatshëm Klaudio Gerraxhija, Redjo Koçi, Julian Talaj, Saimir Dragoi, Amarildo Deliu dhe Norgen Baruti.

Trajneri Melka në ndeshjen e sotme vuajti mungesat e kapitenit Gazmend Husaj, por edhe ato të Leonardo Dodës dhe Adri Arapit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë