Ngjarje

Vogëlushi shqiptar me Sindromën Down në ekranin e madh të Time Square

Beni Godeni, një djalosh i vogël me Sindromën Down, nga Kosova është bërë protagonisti kryesor i ekranit gjigant të “Time Square” në New York. Fotografia e vogëlushit është përzgjedhur mes 100 fotografive më të mira, në konkursin e përvitshëm të Shoqatës Ndërkombëtare të Sindromës Down.


Ky konkurs zhvillohet çdo vit dhe në të marrin pjesë me dhjetëra fëmijë nga e gjithë bota. Aplikimin e Benit e bëri kujdestarja tij Fjolla Rraci, një vajzë kosovare që jeton në SHBA, e cila është është shprehur shumë entuziaste në Facebook, ku në një postim ka shkruar;
“O Ben Godeni, New York-u kurrë s’është duk’ ma bukur se sot! T’du fort o Ben, fort !”
Mediat kanë bërë të ditur se pas aplikimit familja e vogëlushit nisi procedurat për t’u pajisur me vizë amerikane. Çifti Godeni ka qenë bashkë me të birin për ta përjetuar këtë moment të veçantë.

Pas shfaqjes se fotografive dhe videove të ndryshme në ekranin e madh, të gjithë pjesëmarrësit në konkurs, kryejnë një tjetër ritual përpara se të kthehen në vendet e tyre. Ata shkojnë drejt Parkut Qendror Historik ku zhvillohet evenimenti i quajtur “Buddy Walk” ose e thënë ndryshe të ecim së bashku i cili ka nisur që prej vitit 1995 për të inkurajuar individët me Sindromën Down. Kjo nismë është ndërmarrë në prag të muajit senzibilizues për personat me Sindromën Down dhe në faqen zyrtare të Shoqata Ndërkombëtare të Sindromës Down, mund të gjejmë lehtësisht një sërë aktivitetesh që kryen çdo vit për të mbështetur këta individë.
Sipas të dhënave zyrtare, në këto evenimente ka 325.000 pjesëmarrës të cilët japin kontributin e tyre, ndërkohë që fondet e mbledhura shpenzohen për të mbështetur individët me Sindromën Down dhe familjet e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë