Ngjarje

Vodhi shtëpinë e mbyllur nga Covid-19, hetuesit: Shfrytëzoi pandeminë, dërgojeni në burg

Gjatë pandemisë disa familje zgjodhën ta lënë Tiranën dhe të kthehen në qytetet dhe fshatrat ku kanë lindur apo ku kanë prindërit. Kështu ka vepruar edhe Mariglen Sh., i cili ka mbyllur shtëpinë në rrugën “Artan Lenja” dhe është kthyer në Durrës. “Në fillim të prillit, – rrëfen Marigleni në polici, – u ktheva për të kontrolluar shtëpinë. Rrobat ishin të hedhura gjithandej nëpër dysheme, dera ishte e padëmtuar. Më kishin vjedhur shtëpinë”. Durrsaku pasi ka konstatuar që hajdutët i kishin bërë vizitën e padëshiruar, ka dalë me shpejtësi nga banesa dhe është drejtuar te lokali përballë banesës, një objekt, i cili ka të instaluara kamera sigurie. Aty ka vërejtur se dy persona me kapuç në kokë kishin hyrë në shtëpi duarbosh dhe kishin dalë  më pas me qese, valixhe dhe çanta shpine.

“Hajdutët kishin marrë sende me vlerë dhe bizhuteri që vlejnë rreth 5 mijë euro, një orë dore e markës Tag heuer, telefon, orë grash Bërberry, atlete të vajzës të markës Dolce Gabana, bizhuteri të bashkëshortes, varëse floriri të tri vajzave, këpucë e playstation”, ka përshkruar në kallëzimin e tij Marigleni, i cili sakaq ju ka vendosur në dispozicion hetuesve edhe kamerën e sigurisë.

Në këto materiale thuhet në procesverbalin e policisë për gazetën “Si” vërehet një person i veshur me kapuç, i cili ecën në këmbë drejt disa mjeteve, sikur po verifikonte nëse kishte në ambient kamera sigurie apo jo. Duket sikur ky person çalon. Pak më vonë në këtë ambjent hyn një automjet “Polo” dhe parkon. Pak më vonë personi që lëvizi te shkallët dhe që ishte me kapuç dhe gëzof, hipën në makinën e parkuar dhe mjeti largohet. Këto veprime ndodhin brenda 26 minutash.

Nga verifikimet e mëtejshme agjentët e policisë zbuluan se automjeti “Polo” me targë Aa 581… dhe ndonëse kishte si pronar shtetasin S. T përdorej nga shtetasi E.K. “U kryen kontrollet në sistemin Adams dhe aty u kuptua që shtetasI E.K ishte person me precedent të mëparshëm penalë në fushën e vjedhjes  si dhe ishte arrestuar disa herë për vjedhje banesash të kryer në bashkëpunim”, shpjegohet më tej në dosjen që gazeta “Si” disponon.

Arrestimi

Siç bën me dije policia, i dyshuari si hajdut i shtëpisë së braktisur nga Covid-19, jeton me qira në “Kodrën e Diellit”. Sapo efektivët janë nisur për kontrolle në këtë zonë, kanë vërejtur automjetin “Polo”, i shpallur në kërkim pas këqyrjes së kamerave të sigurisë. “Iu bë me shenjë drejtuesit të automjetit të ndalojë, por ai nuk ndaloi dhe përkundrazi rriti shpejtësinë. Shërbimet u vunë në ndjekje të tij, por drejtuesi e braktisi mjetin dhe u largua në këmbë nëpër rrugicat e pallateve. Pas ndjekjes së vazhdueshme të tij u bë e mundur kapja e drejtuesit të mjetit”, raportohet në procesverbalin që gazeta “Si” disponon.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas ishte E.K, të cilit më pas në banesë iu gjetën ora e bizhuteri si edhe 118 mijë lekë të futura në një qese, si edhe visa elektronik nën emrin e L, Tarja  edhe kjo e dyshuar e vjedhur.

Hetimi

33-vjeçari këmbëngul prokuroria në gjykatë shfrytëzoi situatën e pandemisë dhe braktisjen e banesave nga pronarët dhe në këtë gjendje ai ka vjedhur një shtëpi të tillë. Me këtë argument prokuroria e konsideron rrethanë rënduese përfshirjen e të riut në vjedhje, ndërkohë që vijon të jetë në kërkim të bashkëpunëtorit të të riut. Por, nga ana e tij, shtetasi E.K këmbëngul se nuk është ai autori i kësaj banese. Pavarësisht pretendimeve gjykata mori parasysh rrethanën rënduese, atë të shfrytëzimit nga ana e hajdutit të Covid-19 për të hyrë më lehtësisht në banesa dhe e la atë nën masën “arrest me burg”. Ndryshe nga qëndrime të tjera ku sipas masave anti-Covid, gjykatat duhet të tregohen të kujdesshme me masat për të parandaluar përhapjen e virusit në sistemin penitenciar, familja u largua në Durrës menjëherë sapo vendi u fut në karantinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë