Aeroporti i Vlorës parashikohet të ndikojë negativisht në ekosistemin biologjik të zonës dhe në receptorët me ndjeshmëri të lartë.
Kështu përcaktohet në VNM-në e thelluar të dërguar nga kompania q do të ndërtojë Aeroportin në autoritetet vendore. Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis, thekson zhurmat, prania njerëzore dhe e mjeteve konsiderohen si ndikime mbi komunitetet biologjike të zonës së mbrojtur dhe në qendrat shëndetësore apo arsimore pranë zonës.
I njëjti dokument nënvizon se sipërfaqja e ndërtimit të Aeroportit është 309 ha ku do të vendosen të gjithë elementet e funksionimit të një aeroporti ndërkombëtar: pista, terminali i pasagjerëve, vend parkimi i automjeteve të udhëtarëve, parku i emergjencës kundërt zjarrit, vend depozitimi i karburanteve, sistemet e ndriçimit, nënstacioni i sistemit elektrik, impiante të pastrimit të ujërave urbane/të zeza, pompat e shtytjes së ujërave të përmbytjeve të pistës dhe gjithë facilitetet e tjera.
Toka ku do të ndërtohet aeroporti në Akërni është në pronësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe ka funksionuar nga viti 1965 si bazë stërvitore e shkollës së aviacionit në Vlorë dhe në të kanë operuar avionë ushtarakë më shpejtësi afër dy herë më të madhe se aviacioni komercial edhe pse me peshë shumë më të vogël.
Aeroporti do të të ndërtohet për një periudhë 4 vjeçare i ndarë në dy faza; faza e pare me kapacitete deri në 400 mijë udhëtarë dhe, në një fazë të dytë më kapacitetet deri në 1.2 milion pasagjerë në vit.
Sipas kontratës që është nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe konsorciumit ndërtues dhe operues Mabatex construction & YDA group parashikohet që numri vjetor i pasagjerëve të jetë progresivisht: përafërsisht 360.000 në vitin e parë të operimit, rreth 600.000 dy vjet më vonë dhe rreth 1.16 milion në vitin e pestë të operimit.
Ndikimi në ekosistem dhe tek shpendët
Zona ku do të ndërtohet Aeroporti i Vlorës është shumë afër me disa nga zonat me potenciale më të mëdha turistike në vend dhe të konsideruara si zona të Mbrojtura. E tillë është edhe Laguna e Nartës apo Lugina e Vjosës. Raporti i paraqitur në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit sjell në vëmendje pikërisht këtë aspekt.
“Kompleksi ligatinor Narta-Vjosa me VKM Nr. 680, datë 22.10.2004 është shpallur peizazh ujor / tokësor i mbrojtur (Kategoria IV IUCN), ndërsa ishulli i Sazanit përfaqëson një pjesë të Parkut Kombëtar tokësor detar. Këto ekosisteme përfshijnë Lagunën e Nartrës, Grykëderdhjen e Lumit Vjosa, sistemet bujqësore – kryesisht kodra të mbjella me ullishte dhe vreshta, ndërsa bimësia është zakonisht mesdhetare, pyje me pisha, etj. Në tërësinë e tij ekosistemet dinamike mbajnë një numër të madh të habitateve të rëndësishme natyrore në shkallë vendi. Dhe ndërkombëtarisht. Kjo pasuri natyrore përbën një atraksion turistik i cili pa dyshim po ushtron ndikim mbi të si pasoje e zhvillimit të tij aktual dhe perspektiv” thuhet në dokument.
Ky i fundit vlerëson se gjatë fazës së ndërtimit zhurmat mund të largojnë shpendët që janë në këtë zonë ndërkohë që kjo mund të rikuperohet gradualisht në një pjesë pas përfundimit të kësaj faza. Në disa raste të ngjashme projektesh largimi i shpendëve tyre mund të jetë i përhershëm.
Aeroporti i Vlorës me trafik të garantuar
Kompania fituese për Aeroportin e Vlorës u shpall në fillim të këtij viti me një ofertë investimi 103 milionë euro. Qeveria ka aplikuar për këtë projekt garantimin e trafikut të munguar. Sipas dokumenteve të bëra publike në atë kohë Të ardhurat e garantuara në skenarin bazë për 10 vitet e para të operimit parashikohen 9.6 milionë euro në vitin e katërt, 10.3 në vitin e pestë, 11.2 për të gjashtë , 12.1 për të shtatë e kështu me radhë me një kulmim prej 18.6 milion euro në vitin e trembëdhjetë nga nënshkrimi i kontratës. Në total të ardhurat e garantuara duhet te jenë rreth 138 milionë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.