Lojëra me Dore

Vlorën e nderon basketbolli, vajzat e Flamurtarit fitojnë Kupën

Flamurtari është fitues i Kupës së Shqipërisë. Nuk është ekipi i futbollit, por ai i basketbollit për femra, që vitet e fundit ka dominuar këtë sport. Të shtunën skuadra e drejtuar nga trajneri Viron Toska ka fituar trofeun e 19-të në histori, pasi ka mundur në finale Partizanin me rezultatin bindës, 110-85. Ndeshja u zhvillua në pallatin e sportit në Vlorë, ku nuk munguan edhe tifozët nga kryeqyteti në mbështetje të Partizanit.

Me katër basketbolliste të huaja, Flamurtari ka një skuadër më të kompletuar dhe nuk e ka vënë në diskutim fitoren në finale. Ndeshja ka dhuruar emocione në fillimin e saj, ku perioda e parë u fitua nga Partizani me 1 pikë diferencë, 23-24. Flamurtari reagoi mirë në periodën e dytë, duke shënuar 28 pikë ndaj 17 të Partizanit. Gjatë periodës së tretë, falë edhe përvojës më të madhe, skuadra vlonjate dominoi dhe shënoi 32 pikë, kurse kryeqytetaset 15 pikë. Perioda e katër u fitua nga Partizani i trajneres Koçi, por ishte e pamundur të përmbysej rezultati.

Flamurtari, ekipi fitues i Kupës së Shqipërisë. Gazeta Si, 2 shkurt 2020

Shënuesja më e mirë e ndeshjes ishte amerikania e Flamurtarit, Bei, e cila realizoi 25 pikë. Te Partizani spikati Lalaj me 24 pikë. Në fund festa ka qenë e gjitha për vlonjatet, që morën trofeun e Kupës së Shqipërisë nga presidenti i FSHB-së, Avni Ponari. Flamurtari ka si objektiv kryesor këtë sezon të fitojë edhe kampionatin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë