Njerez

Vlora for President!

Përpara se të ishte Vjosa – e para kandidate grua për kryeministre në Kosovë, kryeparlamentare pas zgjedhjeve të parakohshme dhe së fundi e zhgënjyer me kreun e forcës politike nga e cila doli – ishte Vlora. E mbijetuara e kampeve të refugjatëve, e kthyer në korrespondente gjatë luftës së Kosovës, do të qe një nga të besuarat e kreut të PDK-së së asokohe , sot presidentit Hashim Thaçi, të cilit iu desh të firmoste dekretin për largimin e Çitakut si ambasadore e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Po kthehem në shtëpi”, do të pohonte ajo, duke e zyrtarizuar lajmin e largimit nga Uashingtoni, pas pesë viteve shërbim diplomatik në konsullatën e Kosovë.“Të isha kampion i juaj ka qenë gëzim i madh. Të gjithë miqve të mi në DC dhe në ShBA, faleminderit për shoqërinë dhe bashkëpunimin tuaj. Edhe pse pandemia ka limituar opsionet e mia, unë do të provoj të takoj disa nga ju përpara se të shkoj. SHBA faleminderit që më pranuar, Kosovë ja ku po vij”, vijonte më tej 40-vjeçarja, me karrierë të spikatur në politikë, në vendin e saj.

Largimi i Çitakut erdhi pas letrës së dërguar kreut të shtetit Thaçi në shtator, por jo përpara se të dëshmonte nga afër si ambasadore e Kosovës, atë që u cilësua nga vetë presidenti Trump si marrëveshje historike në Shtëpinë e Bardhë, mes Prishtinës dhe Beogradit.Megjithëse largimi i saj nga detyra ishte i paralajmëruar muaj më parë, kur Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca i kërkoi presidentit tërheqjen e Çitakut nga Uashingtoni, vetë ajo e mori vendimin në një kohë kur zërat në Kosovë po rriten për një kandidaturë të mundshme të saj për presidente.

“Si ambasadore jam emëruar përmes çelësit politik. Këtë e kam thënë shumë herë më parë, dhe është krejt e natyrshme që Qeveria e Kosovës të kërkojë zëvendësimin tim. Mirëpo, unë nuk do të lejoj që të bëhem mish për top në betejën mes Qeverisë dhe Presidencës”, deklaronte muaj më parë Çitaku, duke shtuar se nuk ka ambasador të përjetshëm.Ajo do të bëhej më e dashur për qytetarët e saj në Kosovë dhe njohje më të gjerë ndërkombëtarisht në fjalimin e famshëm në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, në gusht të 2017-s.

Çitaku në Këshillin e Sigurisë së OKB, 2017.

“Asnjë gjyq, asnjë pretendim, asnjë hamendësim dhe padyshim asnjë ligjëratë sot nuk mund ta ndryshojë historinë. Lufta në Kosovë ndodhi përpara syve të botës, përpara syve të kësaj dhome. Prandaj bota vendosi të veprojë. Çdo përpjekje pr të rishkruar historinë do të dështojë”, deklaronte Çitaku në OKB, ndërsa mbronte rolin e UÇK-së në çlirimin e vendit. Duke ngulmuar se nuk ishte një organizatë terroriste e megjithëse, ish-kryeministri Haradinaj shprehej për të se nuk përfaqësonte Kosovën si ambasadore në Uashington por interesat e Thaçit, Çitaku deklaronte përpara anëtarëve të Këshillit të Sigurisë së OKB-së seSami Lushtaku dhe Ramush Haradinaj nuk kishin udhëtuar drejt Beogradit për të luftuar, por kishin luftuar në shtëpitë e tyre, në vendin e tyre, me synimin për të mbrojtur civilët e për të çliruar kombin.

“Kosova është shtet që i përket të gjtihë qytetaëve. Shqiptarë, serbë, malazzë, romë, turq, boshnjakë. Na përket të gjithëve ne dhe askush nuk do të më thotë se vetëm pse jam shqiptare nuk meritoj të jetoj atje”, thoshte Çitaku.

Çitaku dhe presidenti Thaçi

Në një intervistë në ShBA për Institutin e Georgetown mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Çitaku thoshte se të ishte politikisht aktive në Kosovë gjatë viteve të luftës, ishte çështje mbijetese dhe jo opsion. Ishte një mënyrë për të luftuar, kundër shtypjes.

Si një e mbijetuar e luftës e shndërruar në të parën ambasadore grua e Kosovës në ShBA, Çitaku vlerëson rolin e grave në politikë, e veçanërisht përpjekjet e ish-presidentes Ahtifete Jahjaga në adresimin e një prej çështjeve të mbetur ende tabu në shoqërinë kosovare, si përdhunimet gjatë kohës së luftës, duke u dhënë zë atyre që nuk kishin.

Tashmë është emri i saj që lakohet si kandidate e mundshme e Partisë Demokratike të Kosovës për presidente.Por ndryshe nga presidentja e parë grua në Kosovë, por edhe historinë moderne të Ballkanit që vinte nga një karrierë në Forcat e Rendit, jetëshkrimi profesional i Çitakut shënon një sërë detyrash të larta si ministre e Integrimit Europian, ish-zëvendësministre e Jashtme dhe ministre e jashtme në detyrë pas prishjes së koalicionit PDK dhe LDK.Ajo ka shërbyer si Anëtare e Parlamentit në dy legjislatura, si një nga më të votuarat në partinë e saj.

Presidenti Obama Kosovo dhe Vlora Citaku , 2015.

Ndonëse publikimi i një lajmi që u cilësua skandal mbi dy biletë avioni të klasit biznes, nga ana e ambasadores , u duk si një sulm që i vinte nga partia e saj, pasi timonin e PDK-së pas zgjedhjes së Thaçit president i mori Kadri Veseli, i cili sipas zërave po mundohej ta pastronte partinë nga njerëzit e presidentit, në zgjedhjet presidenciale të marsit të ardhshëm po e shohin Çitakun si kandidate.

Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova - partia më e votuar në qeverisje, pas prishjes së koalicionit me Vetëvendosjen -, ka deklaruar se nuk është kundër emrit të Çitakut, megjithëse duhet arritur konsensusi me partitë e tjera në koalicion.

“Mendimi jem personal, nuk jam kundër një propozimi të tillë por zgjedhja e Presidentit kërkon një konsensus pak më të gjerë, ai që i merr votat ai zgjidhet”, është shprehur Rugova, ndërsa PDK –partia ku Çitaku ka aderuar prej themelimit të saj më ’99, është në opozitë duke mos u bërë pjesë e koalicionit të ri qeverisës së qershorit të këtij viti, me LDK, AAK, AKR, Nismën dhe Listën Serbe.

Ndërkohë AAK, aktualisht pjesë e qeverisjes e ka bërë publike emrin e Ramush Haradinaj si kandidat për president të Kosovës.Por emri i Çitakut pritet të hasë rivalitet të madh, ku megjithëse të pakonfirmuar kandidatë potencialë pritet të jenë vetë kreu i LDK-së, Isa Mustafa, Behgjet Pacolli –ish presidenti me qëndrim të shkurtër në detyrë më 2011, ish-kryeministri Albin Kurti, kreu i Nisma Socialdemokrate Fatmir Limaj – i cili do të vazhdonte traditën e figurave të UÇK-së në krye të shtetit. Një tjetër emër i lakuar ishte edhe ai i Vjosa Osmanit, por me kundërshtitë me kreun e LDK-së, që sollën më pas përjashtimin e saj nga strukturat e partisë, kandidimi i saj ka pak gjasa të ndodhë.

Çitaku dhe presidenti amerikan Donald Trump

Për t’u zgjedhur, një kandidat duhet të marrë të paktën 81vota në dy raundet e para, ose dy të tretat e 120 deputetëve të Kuvendit dhe në raundin e tretë, një shumicë e thjeshtë prej 61 votash.Me refuzimin e Thaçit për një mandat të dytë si president-, megjithëse i pari do të tronditej nga thirrja e Prokurorit Special të Hagës -, dhe me largimin e Çitakut nga Uashingtoni si ambasadore e Kosovës, ata ritakohen në Prishtinë pas pesë vitesh, në Prishtinë ku ndoshta presidenti do të ndikojë në ish-partinë e tij, së cilës me gjasë do t’i kthehet për të kandiduar zyrtarisht Vlora Çitakun nga radhët e PDK-së.  “E shtypur nuk kishe opsion veçse të luftoje”, thoshte Çitaku, ndërsa në Kuvend do t’i duhen votat, që do ta bënin të dytën presidente grua të Kosovës. /S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë