Gazeta Si – Vllaznia konfirmon momentin e saj të mirë në këtë kampionat. Shkodranët, me entuziazmin e festës së 105-vjetorit, kanë mundur sot 2-1 Egnatian kryesuese në stadiumin ‘Loro Boriçi’.
Balaj dhe Gruda janë autorët e golave për skuadrën e trajnerit Qatip Osmani, ndërsa për rrogozhinasit barazoi përkohësisht Edison Ndreca. Me këtë trepikësh, Vllaznia barazohet sërish me Partizanin e vendit të dytë, në kuotën e 40 pikëve.
Egnatia humbet kështu pas një kohe të gjatë, ndërkohë që nuk fiton prej tri javësh. Ndoshta është edhe efekti i formulës së kampionatit, pasi Egnatia kryeson me 8 pikë avantazh dhe sikur e ka hequr ‘këmbën nga gazi’, duke qenë se gjithçka vendoset në ‘Final 4’, pas 36 javëve të rregullta.
Dinamo, një tjetër skuadër e momentit në Superiore, ka barazuar sot 1-1 në Laç. Denison shënoi për kryeqytetasit, ndërsa Qato barazoi shifrat në pjesën e dytë me një eurogol. Të dyja këto skuadra janë në garë për 4-shen e parë.
Rezultati më surprizues ishte fitorja 0-3 e Skënderbeut ndaj Erzenit, që duket se po rrëshket gjithmonë e më poshtë dhe ardhja e trajnerit Skerdi Bejzade nuk po e ndihmon të ngrejë kokë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




