Nga Gazeta 'Si'- Presidenti rus, Vladimir Putin ka ftuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, për të vizituar Moskën më 25 maj të vitit tjetër, kur do të shënohet përvjetori i 80-të i fitores në Luftën e Dytë Botërore, transmeton Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).
“Ju ftoj të merrni pjesë në festimet për 80-vjetorin e fitores së Luftës së Madhe Patriotike, që do të mbahen në Moskë në maj të vitit 2025”, është cituar të ketë thënë Putin.
Kabineti i presidentit të Serbisë, as nuk e ka pohuar, dhe as mohuar këtë informacion, kur është pyetur nga Radio Evropa e Lirë për konfirmim.
Mes tjerash, Putin është thënë të ketë përmendur në ftesë se ai është i bindur që ruajtja “e kujtesës së fitores së madhe do të forcojë vendosmërinë e përbashkët” për të rritur “bashkëpunimin konstruktiv, me qëllim të garantimit të paqes dhe sigurisë në planet”.
Putin e pati ftuar Vuçiçin edhe në samitin BRICS, të mbajtur në tetor, në qytetin rus, Kazan.
Megjithatë, Vuçiç nuk i është përgjigjur ftesës, duke thënë se Serbia do të ishte nikoqire e disa mysafirëve të rëndësishëm në atë periudhë.
Ato ditë, Serbia ka pritur presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leye, si dhe liderë të shteteve të BE-së, në mesin e tyre, kryeministrin polak, Donald Tusk dhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis
Një delegacion i Qeverisë së Serbisë pati marrë pjesë në samitin BRICS, i cili konsiderohet si përpjekje e Rusisë për të krijuar një kundërpeshë ndaj ndikimit të Perëndimit në botë.
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vullin, pati marrë pjesë në samit dhe më pas pati takuar edhe Putinin.
Vullin është nën sanksione amerikane, mes tjerash edhe për lidhjet e ngushta me Rusinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.