Analize

Vjosa i thotë “PO” Albinit!

Kandidatja e parë për kryeministre në Kosovë Vjosa Osmani ka pranuar publikisht sot ftesën e Vetëvendosjes për të bashkëqeverisur Kosovën.

Duke folur pasi iu refuzua këkesa për rinumërimin e votave, kandidatja e LDK-së për kryeministre është shprehur se rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit ka treguar që qeverinë e ardhshme duhet ta udhëheqin dy partitë që kanë qenë deri dje në opozitë,

“Qytetarët përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës”, shkruan Osmani.

Ajo ka thënë se tashmë e vetmja sfidë për të është arritja e koalicionit me Vetëvendosjen. Deklarata e Osmanit vjen edhe pas ultimatumit të Albin Kurtit që nëse nuk arrihet koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës atëherë vendi do të shkojë përsëri në zgjedhje. Kurti është shprehur se partia e parë që do t’i trokasë në derë për koalicion është LDK-ja, e cila udhëhiqet nga Isa Mustafa. Ky i fundit duket se ka dhënë po ashru bekimin e tij për koalicionin me Kurtin.

Pavarësisht rezultatit zgjedhor që ka nxjerrë të parën Vetëvendosjen si dhe LDK-në të dytën, analisti Artan Muhaxhiri parashikon bisedime të vështira për të arritur koalicion qeveritar. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë parti diametralisht të kundërta . LDK është parti e djathtë, ndërsa Vetëvendosje është parti e majtë.

“Këto dy parti dallojnë diametralisht dhe kanë shumë ndryshime në raport me mënyrën se si i shohin shtyllat kryesore të shtetit, si ekonominë apo marrëdhëniet me aleatët tanë ndërkombëtarë, dialogun me Serbinë dhe çështje të tjera”, tha Muhaxhiri duke thënë se mendon se këto dy parti mund të kenë nevojë edhe për një partner të tretë.

“Në bazë të rezultateve që po i shohim, mund të jetë një qeveri që mund të krijohet nga Vetëvendosja me LDK-në, por që nuk mund të ketë një shumicë të konsoliduar. Për të forcuar pozicionin e qeverisë. Ata mund të ftojnë në koalicion edhe një parti të tretë shqiptare”, thotë analisti.

Kjo qeveri duket se do të mbajë mbi shpatulla detyrën më të rëndësishme që nga pavarësia e Kosovës, paqen me Serbinë.

Vjosa Osmani, kandidate për Kryeministre të Kosovës nga LDK dhe Albin Kurti, kandidat për Kryeministër i Vetëvendosjes. Gazeta Si

Qëndrimi i përbashkët për dialogun Kosovë-Serbi

LKD-ja konfirmoi koalicionin me Albin Kurtin vetëm disa orë përpara mbërritjes në Kosovë të Përfaqësuesit të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe përfaqëesit për Ballkanin, Mathew Palmer. Të dy këta zyrtarë kanë kërkuar rikthimin e mënjëhershëm të Kosovës në dialog pas formimit të qeverisë dhe hartimin e një platforme për dialogun.

Në bazë të deklaratave të përfaqësuesve të këtyre dy partive për dialogun, si Vetëvendosje ashtu edhe LDK kanë qëndrim të përbashkët per zvogëlimin e rolit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në dialog dhe t’ia kalojnë këto kompetenca qeverisë.
Po ashtu, për sa takon taksës 100 për qind të vendosur nga Qeveria në largim e Kosovës për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, as Vetëvendosje e as LDK-ja nuk janë të gatshme që ta shfuqizojnë, pa kërkuar reciprocitet.

Në planin e saj qeverisës, Vetëvendosje e Albin Kurtit, fillimisht kërkon vlerësimin e marrëveshjeve të arritura nga viti 2011 e deri më 2017.
Ai ka ka thënë se ai do të udhëheqë delegacionin e Kosovës me Serbinë dhe se planifikon të përfshijë edhe opozitën.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka qenë pjesë e procesit të bisedimeve, në kohën Isa Mustafa ishte kryeministër në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës, thotë se nuk do të nxitohet për arritjen e marrëveshjes. Edhe për taksën, LDK-ja thotë se mund të hiqet për t’u zëvendësuar me reciprocitet.

Osmani ka kundërshtuar po ashtu edhe shkëmbimin e territoreve dhe ka kërkuar edhe përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kandidatja për kryeministre nga LDK, Vjosa Osmani, gjatë fushatës zgjedhore insistonte në vazhdimin e procesit të dialogut të udhëhequr nga qeveria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë