Gazeta Si – Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u paraqit këtë të martë në Prokurorinë e Tiranës, ku sipas burimeve ka dhënë sqarime në lidhje me kallëzimin e bërë për vjedhjen e serverave në Partinë e Lirisë disa javë më parë.
Pas rreth një ore, në dalje nga ambientet e prokurorisë, Meta, me një trëndafil në duar, u ndal më shumë për të folur për kushtet e ndërtesës, që sipas tij, e shokuan pasi ishte në gjendje të tmerrshme.
“Jam i shokuar nga gjendja në Prokurorinë e Tiranës, një gjendje e tmerrshme. Mal me dosje, sepse nuk kanë ku t’i arkivojnë. Një ashensor që nuk punon dhe zbrita nga shkallët, sepse nuk kisha kohë të harxhoja. Situatë shumë e rëndë dhe duhet deputetët që janë në Komisionin e Ligjeve të shikojnë gjendjen këtu. ‘Ramaforma’ kujdeset vetëm për kushtet e 3-4 prokurorëve të SPAK-ut që i ka futur në xhep Engjëll Agaçi që kur ka bërë procesin e kapjes së tyre dhe nuk do t’ia dijë për të gjithë prokurorët e tjerë, për të gjithë gjykatësit e tjerë. Male me dosje, një situatë e tmerrshme. Bile do bëjmë thirrje qytetarëve të paktën ta ruajnë nga brenda se e kanë lënë në gjendje të mjeruar”, tha Meta.
Sa i përket kallëzimit për vjedhjen e serverave, Meta tha se bëhet fjalë për një proces mafioz që do të kapë edhe vulën e Partisë së Lirisë.
“I gjithë procesi mafioz për të kapur edhe vulën e Partinë e Lirisë është si rezultat i trios Rama-Dumani-Agaçi. Por PL ka 5 prioritetet e miratuara nga konventa. Ka një qëllim madhor, 4 milionë shqiptarë plus, ai mund të vazhdojë me prokurime të drejtpërdrejta me filipinas, me bangladeshas”, tha Meta.
Në fund të muajit të kaluar, Meta bëri një kallëzim në Prokurorinë e Tiranë se disa persona ende të paidentifikuar i kanë vjedhur një hard disc me materiale në zyrën e Partisë së Lirisë. Vjedhja sipas tij është kryer më 6 Mars 2024.
Siç shkruhet në kallëzim, ngjarja pretendohet të ketë ndodhur më 6 mars pak para mesnate, në orën 23:40 në ambientet e brendshme të selisë së PL në kryeqytet.
Sipas Metës, persona të paautorizuar kanë arritur të futen gjatë natës në selinë e partisë dhe kanë vendosur një tjetër DVR të re.
Në kallëzimin e Metës, thuhet se më datë 6 mars disa persona janë futur natën në zyrën e partisë që ai drejton dhe kanë vjedhur hard disc-un, i cili ruan pamjet e kamerave të sigurisë në zyrën e Partisë së Lirisë.
Sipas kallëzimit, këta persona kanë qenë në dijeni të vendndodhjes së çelësave të dhomës ku ndodhej DVR, të cilën pasi e kanë marrë e kanë zëvendësuar me një tjetër.
“Po kështu është konstatuar vjedhja e impulseve telefonike dhe ndërhyrja në këtë rrjet nga persona të paidentifikuar, gjoja për të riparuar këtë sistem. Ky konkluzion i yni derivon nga fakti që në muajt e fundit sistemi i brendshëm telefonik, me të cilin funksionon së bashku edhe rrjeti elektronik, ka patur defekte të njëpasnjëshme. Edhe këto veprime janë kryer jo nga një person i vetëm dhe në kohë të ndryshme”, thuhet në kallëzimin e Partisë së Lirisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




