Ka ndodhur

Vjedhja e energjisë, në tre javë u arrestuan 58 persona dhe u evidentuan 237 raste

Thuajse tre javë pas nisjes së operacionit të policisë kundër vjedhjes së energjisë elektrike në banesa dhe objekte të ndryshme, janë zbuluar 237 raste në të gjithë vendin.

Drejtori i Policisë së Rendit Publik, Ylli Vasili, ka publikuar shifrat e bilancit, që nga data 14 tetor e deri më sot. Sipas tij, janë vënë në pranga 58 qytetarë, ndërkohë që 130 po hetohen në gjendje të lirë.

Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit, policia thotë se ka zbuluar48 raste të vjedhjes së energjisë në disa qarqe të vendit, ku janë arrestuar 12 persona, ndërkohë që janë shpallur në kërkim 3 të tjerë.

Për 33 qytetarë të kapur në shkelje, ka nisur një hetim në gjendje të lirë, ndërkohë që po hetohen për shpërdorim detyre edhe 4 punonjës të OSHEE-së.

“Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar anonimat të sigurt, reagim të menjëhershëm, profesional e të paanshëm”, njofton policia.

Të arrestuarit gjatë ditëve të fundit

Në Tiranë janë arrestuar në flagrancë 6 shtetas, janë proceduar penalisht 2 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas të tjerë. Gjithashtu janë kapur 3 shtetas të shpallur në kërkim më parë.

Në Vlorë janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 shtetas tjetër.

Në Lezhë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 6 shtetas të tjerë.

Në  Berat është arrestuar në flagrancë 1 shtetas.

Në  Shkodër janë proceduar penalisht 16 shtetas.

Në Gjirokastër janë proceduar penalisht 4 shtetas.

Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 shtetas tjetër.

Në Dibër është proceduar penalisht 1 shtetas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë