Nga Gazeta Si – Shalqinjtë e kalbur në fshatin Imsht të Lushnjës nuk janë më lajm. As qershitë e pashitura të Dibrës.
As rënia e krerëve të bagëtive. Fermerët kishin paralajmëruar prej kohësh që bujqësia shqiptare e cila trashëgon edhe probleme të vjetra, do të futej në krizë.
Ngastrat po lihen djerrë. Amullia e politikës fiskale dhe kostot e larta janë faktorët kryesorë që sipas tyre po nxisin falimentimin dhe po i detyrojnë të largohen nga Shqipëria.
Sipërfaqet e mbjella në serat e Myzeqesë kanë rënë me mbi 25% sipas të dhënave të terrenit të grumbulluara nga fermerët, eksportuesit dhe tregtarët e inputeve.
Luhatja e prodhimit bujqësor në zonën e Myzeqesë është sinjalizuesi më i qartë i çrregullimit të ekonomisë vendase dhe trajektores së krizës ku ka hyrë bujqësia sipas ekspertëve.
“Ka disa ditë që mijëra ton shalqi po kalben si në Lushnjë, si në Divjakë. U bënë vite që nuk po shesim asnjë kilogram. Nuk ka treg gjëkundi. E shesim me 7-10 lekë për kilogram gjë që nuk të justifikon as shpenzimet e fidanëve apo të punëtorëve. Kjo situatë nuk shtyhet më. Fermerët po i braktisin serat gjithandej dhe po joshen nga emigracioni. Dhe mirë bëjnë. Nuk përtypen më humbjet vit pas viti në këtë sektor”, thotë për Gazetasi.al Halit Bana, një fermer që nga viti tjetër do të ikë të punojë në serat e Siçilisë.
Ai shton se qeveria shqiptare nuk po i vlerëson fare produktet vendase dhe nuk po i stimulon fermerët.
“Në disa postime të Erion Braçes kam parë se si shalqiri ynë po shitet në Gjermani e në Suedi deri në 7 euro për kilogram. Është e drejtë ajo që Braçe ka thënë se si paratë tona kalben në fushat e Lushnjes ndërkohë që në tregjet e sofistikuara kërkesa për produktin tonë është e lartë”, shton mandej ai.
Për ekspertët e bujqësisë, kjo krizë që ka përfshirë bujqësinë, është tregues që ky është viti i fundit i saj.
Ata thonë se hallet me të cilat po hasen fermerët janë të shumta e njëkohësisht krejt të papranueshme për një sektor që kontribuon në 20% të PBB-së.
Para mungesës së tregut dhe kalbjes së fruta-perimeve në sera, problematika nisi që më shtrenjtimin e çmimeve të lëndëve kimike të cilat i rritën më shumë kostot për fermerët.
“Çmimi i një kuintali ure është rritur me 50% në sezonin e fundit të mbjelljeve, ndërsa në të njëjtën masë janë rritur çmimet e farave, fidanëve, plastmasës , hekurit, plehrave dhe pesticideve. Rritje të cilat ndodhën në një kohë kur prodhuesit kishin pësuar humbje gjatë sezonit të dytë të mbjelljeve, si rrjedhojë e prodhimit jo cilësor nga fara e keqe”, thotë për Gazetasi.al Ervin Resuli, ekspert bujqësie.
Ndërsa sipas Eduard Sharkës, kreu i Shoqatës së Fermerëve, goditja e parë që iu dha bujqësisë nisi me heqjen e skemës së TVSH-së të rimbursueshme.
“Ligji i skemës së TVSH-së detyronte që grumbulluesi të paguante fermerin mbi çmimin e shitjes edhe 6%-shin e TVSh-së dhe kjo quhej TVSH e zbritshme. Për produktet që shiteshin brenda vendit, TVSH-ja i ngarkohej konsumatorit, gjë që është shumë e padrejtë ndërsa për produktet e eksportit, rimbursohej. Duke qenë se grumbulluesit kryesorë i blinin mallrat e eksportit nga fermerët, 6% që iu ishte paguar fermerëve mbi çmimin e tregut, rimbursohej nga shteti si tepricë kreditore e TVSH-së. Për vitet 2014-2018, TVSh-ja e kompensueshme ishte 20% dhe për periudhën 2019-2021 u ul në 6%. Këto fonde i kushtuan buxhetit të shtetit, por skema, pavarësisht se konsiderohej e padrejtë, që një tregtar të paguajë një tjetër për llogari të shtetit pa mbajtur komision, ndihmoi indirekt fermerin”, tha Sharka për Gazetasi.al.
Mungesa e subvencioneve megjithatë, mbetet problematika kryesore sipas tyre.
“Ndryshe nga vendet perëndimore por edhe ata të rajonit që u kanë paraprirë pasigurive të këtij biznesi, në Shqipëri subvencionet janë të pamjaftueshme duke mos i stimuluar fermerët dhe politikat fiskale janë jo favorizuese.
Kosova që është vendi më afër nesh, me gjysmën e buxhetit tonë dhe me një përvojë shtetformuese shumë të re jep 150 euro për një kre lopë, 6 cent për një litër qumësht dhe 150 euro për një HA foragjer. Ndërsa në Shqipëri, jepen vetëm 10 mijë lekë për një fermer”, thotë mandej ai për Gazetasi.al.
Orientimi i fermerëve bazuar në teknologjinë e duhur është çelësi i suksesit sipas ekspertit të bujqësisë Ilir Plikut, i cili thekson se është shumë e rëndësishme që ne të prodhojmë në bazë të kërkesës së tregut të brendshëm dhe atij të eksportit, gjë që sipas tij kërkon studime të hollësishme tregu dhe analiza specifike.
E njëjta situatë, e ndoshta ca më keq, reflektohet edhe me blegtorinë.
Referuar shifrave zyrtare të INSTAT, pesë vitet e fundit numri i krerëve të blegtorisë ka rënë ndjeshëm. Konkretisht, në 2017 në vend numëroheshin 349 mijë lopë ndërsa në fund të vitit të shkuar numri i tyre është pakësuar në 71 mijë.
Arsyet janë pak a shumë të njëjta.
Mungesë sistemi vaditës e kullues, kosto prodhimi të shtrenjta, mungesa e mbështetjes e politikat e gabuara fiskale.
Ky largimi i fermerëve në emigracion dhe rënia e numrit të krerëve po dëmton edhe industrinë e përpunimit të qumështit.
Kompanitë përpunuese shprehen se prej muajsh janë në vështirësi të gjetjes së qumështit dhe jo pak herë kanë bërë thirrje për faliment.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.