Nga Gazeta Si- Rreth 345 mijë nxënës ulen në bankat e shkollës sot, 26.500 prej të cilëve për herë të parë. Krahasuar me një vit më parë, këtë vit janë rreth 5 mijë nxënës më pak pasi në 2024 ishin 350 mijë nxënës në total. Gjithashtu rënie ka edhe në numrin e nxënësve që fillojnë klasën e parë. Në 2024 ishin 28 mijë nxënës që uleshin për herë të parë në banka.
Nga shtimi i efektivëve pranë shkollave, mbyllja e ambulantëve që shesin alkool e deri te vlerësimi i çdo situate, policia ka përpiluar plan për nisjen e vitit të ri shkollor. Plani parashikon rritjen e pranisë së efektivëve pranë institucioneve arsimore, sidomos gjatë orarit të nisjes së mësimit, përfundimit apo pushimit të madh.
Po ashtu, do të merren masat edhe për mbylljen e pikave ambulante që tregojnë alkool pranë shkollave, apo produktet ushqimore të skaduara.
Nxënësit, mund ta marrin me vete celularin në shkollë, nëse prindi e argumenton të domosdoshme, por gjatë orës mësimore duhet ta fikë ose ta vendosë në “airplane mode” për ta futur më tej në kutinë e posaçme në klasë.
Në rast se nxënësi e fsheh telefonin duke mos e dorëzuar dhe kapet duke e përdorur atë në klasë apo ambiente të tjera të shkollës, aparati sekuestrohet dhe dorëzohet në drejtori. Për shkeljen e parë, parashikohet një masë më e butë, në fillim këshillim i nxënësit, në rast përsëritjesh shënim nga kujdestari dhe më tek njoftohet edhe prindi, e në këtë rast, vetëm ai mund ta tërheqë telefonin nga drejtoria.
Udhëzimi i ri i Ministrisë së Arsimit ndalon përdorimin e telefonit në klasë edhe nga vetë mësuesit, përveç rasteve emergjente ose për nevoja të provuara pedagogjike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



