Arsim

Viti i ri shkollor, mes hutimit e zhgënjimit të studentëve

Viti i ri akademik për studentët nis me një sërë shqetësimesh e pyetjesh. Të rinjtë janë vendosur sot përballe dyerve të fakulteteve të ndryshme dhe aq sa të gëzuar, dukeshin edhe të hutuar e të zhgënjyer. Nga tetë pikat që përcaktohen në “Paktin për Universitetin”, janë plotësuar vetëm dy prej tyre. Një grup studentësh në Fakultetin Ekonomiknë Tiranë shprehen për Gazetën “Si” se e kanë pritur shumë fillimin e universitetit, edhe pse fytyrat e tyre duken të zhgënjyera. Redoni i cili është në vitin e dytë në degën Financë-Bankë, tregon se pas ardhjes nga Elbasani kishte menduar të jetonte në shtëpi me qera, pasi konviktet nuk kishin kushte të përshtatshme për të jetuar.
“Shtëpia me qera ka kushte më të mira se sa konviktet në Qytet Studenti, kështu që vërtet paguaj më shumë, por jam më mirë,” shprehet ai.
Ndërkohë që ai fliste, shokët që kishte përreth shprehin vazhdimisht se nga protesta e studentëve vitin e kaluar nuk kishte ardhur ndonjë ndryshim i madh. Ata treguan se përpos rregullimit të disa auditorëve dhe përgjysmimit të tarifave asgjë tjetër nuk ka ndryshuar.

Dejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare Rigels Xhemollari

Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare thotë për Gazetën “Si” se kanë nisur një sondazh të ri të quajtur “Universitetet pas Protestës” për të parë qëndrimet dhe opinionin e studentëve, mbi realizimin e pikave të Paktit dhe nivelin e kënaqësisë që ata kanë me arritjet e protestës.
“Parë nga monitorimi i “Qëndresës Qytetare”, Pakti për Universitetin funksionoi në aspektin e infrastrukturës së konvikteve dhe fillimit të procesit të Kartës se Studentit, por le për të dëshiruar aspekti i cilësisë së mësimdhënies, ku nuk u mbajt premtimi i vetingut akademik dhe masave anti- korrupsion në universitete. As procedurat e rekrutimit të stafeve akademike nuk u ri-panë dhe qeveria e nisi në paqe me pedagoget këtë vit akademik,” shtoi ai.
Ndryshe nga studentët e mësipërm të vitit të dytë, dy vajza të tjera, Ada dhe Era, të cilat kishin ardhur nga Tropoja, treguan se konviktet në zonën e 21 Dhjetorit, ishin me kushte shumë të mira dhe kishin vendosur që të kalonin të tria vitet shkollore në konvikt.
“Ambientet brenda konviktit janë shumë të mira për të jetuar dhe ka të gjitha kushtet që na duhen,” shprehet Era, e cila dukej se kishte ëndrra të mëdha për shkollën e lartë dhe profesionin në të ardhmen.

Ndërsa në Fakultetin Juridik, entuziazmi i studentëve nuk ishte kaq i madh sa i vajzave nga Tropoja. Dy studente në vitin të tretë për Drejtësi, i thanë Gazetës se vitet e universitetit kishin qenë tepër të vështira për to, jo vetëm për faktin që banimi ka qenë shumë i kushtueshëm, por edhe kurrikulat mësimorë sipas tyre nuk kanë qenë të duhurat.

Dekani i Fakultetit Histori-Filologji Sabri Laçi

Në fakultetin e Histori-Filologjisë, ku oborri është i rrethuar nga makineri ndërtimi, për rregullimin e ambientit të jashtëm, pjesa më e madhe e studentëve gjenden brenda universitetit. Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Sabri Laçi thotë për Gazetën “Si” se autoritetet drejtuese, stafi akademik e stafi ndihmës, të gjithë praktikisht janë të angazhuar për të përmirësuar gjithçka që është e mundur në universitet.
“Praktikisht ne vërejmë përmirësime për sa i përket kurrikulave, silabuseve, kushteve të punës dhe kushteve të mësimit, më shumë mobilitet për studentët sidomos në kuadër të programit ERASMUS+. Në kuadër të këtij programi dhe të programeve të tjera që mundësojnë mobilitetin në universitete evropiane kryesisht. Programe të reja që janë në përputhje me kërkesat e tregut të punës. Për shembull është hapur një program i ri master profesional në degën e gjeografisë që është quajtur “Sistemi i informacionit gjeografik të aplikuar” dhe është mirëpritur nga studentët se mundësitë për punësim janë shumë të mëdha në fusha si ekonomia, statistika çështje të rregullimit të territorit e të tjerë,” shprehet ai.

Ndër të tjera ai i tha Gazetës se ka projekte për të hapur edhe dy ose tre programe të reja vitin e ardhshëm, ndërsa të gjitha departamentet kanë projekte për përditësimin e kurrikulave me qëllim afrimin e tregut të punës.
“Ne synojmë që të rinjtë të shkollohen dhe t’i shërbejnë Shqipërisë,”shtoi ai. Ndërkohë që shumica e studenteve të pyetur edhe në këtë fakultet, shprehen shumë të pa kënaqur për kushtet e konvikteve.
Ndryshe nga studentët që i gjejmë nëpër universitet, disa studentë që janë pjesë e “Lëvizjes për Universiteti” ishin përpara dyerve të Ministrisë së Arsimit duke protestuar dhe duke u shprehur se ky është fillimi i protestave, në mënyrë që qeveria të plotësojë kërkesat e tyre. Në një numër të pakët ata janë shprehur se “dimri është i ftohtë dh i gjatë na pret përpara, bashkë për këtë arsye duhet të mobilizohemi, sakrifica e prindërve tanë, ideali i arsimit publik për të gjithë dhe besimi tek njëri tjetri janë ajo ç’ka na bashkojnë”. Nën thirrjen “Arsim publik falas” ata janë zhgënjyer, pasi “Pakti për Universitetin” nuk ka funksionuar.

Viti i ri akademik filloi me 22 mijë studentë që u ulën për herë të parë në autoret e universiteteve, ndërkohë që janë hapur 103 programe të reja studimi, 49 profesional dhe 54 bachelor. Gjithashtu në universitetet e rretheve ka pasur edhe mbyllje të disa degëve si matematikë-fizikë, gjuhë e huaj italiane, pasi studentët nuk i kanë përzgjedhur. Ndërsa Mësuesia është renditur për herë të parë e treta në preferencat e maturantëve pas ekonomikut dhe shkencave sociale, pasi rreth 16 % e studentëve janë regjistruar për mësuesi. Së bashku me vitin e ri akademik ka nisur gjithashtu edhe faza e tretë e aplikimeve për pranimet në universitetet publike në vend. Autoritetet arsimore bëjnë me dije se në dispozicion janë rreth 4000 kuota të pa plotësuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë