Treg

Pse nuk e duam arsimin profesional?

Për vitin shkollor 2018-2019 në shkollat e arsimit profesional janë regjistruar 21 mijë e 287 nxënës, 682 më shumë se vitin e shkuar.

Kjo konsiderohet një rritje tejet modeste krahasuar me preferencën e arsimit profesional në vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Teksa në Shqipëri e zgjedhin arsimin profesional 21 % e grupmoshës që ndjek arsimin e mesëm, në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dëshirën për profesion e kanë 50 % e nxënësve që regjistrohen në gjimnaz.

Mentaliteti, ofrimi i një numri të kufizuar drejtimesh, mungesa e një studimi të tregut dhe mungesa e një ure lidhëse mes shkollave të arsimit profesional dhe tregut të punës janë disa nga faktorët kyç pse arsimi profesional mbetet i paragjykuar dhe jo i preferuar në Shqipëri.

Këtë e konformojnë edhe specialistë të organizatës zvicerane Swisscontact, organizatë e cila asiston arsimin profesional në vendin tonë që prej vitit 1994.

Sipas Fation Dragoshit që mban pozicionin e manaxherit të projekteve pranë organizatës zvicerane në Shqipëri, gjendja e arsimit profesional është alarmante dhe thembra e Akilit sipas tij është se nuk i qaset dot tregut të punës.

Fation Dragoshi, menaxher projektesh pranë Swisscontact

Kurrikulat, thotë Dragoshi, janë ndërtuar në atë mënyrë që praktika në kushte laboratorike nuk i jep garanci biznesit që këta nxënës me të dalë në tregun e punës janë të aftë për ta shpënë me punën e tyre përpara kompaninë.

“Gjithandej nëpër kurrikula shkruhet sipas nevojave të sektorit privat, por nuk ka procese të konsoliduara të cilat do të informojnë ofruesit (shkollat e arsimit profesional) se cilat janë nevojat e sektorit privat. Ofruesit thonë; ne këtë specialitet kemi, mësuesit i kemi trajnuar për këto drejtime, nëse doni ejani, nëse jo, si të doni. Nëqoftëse institucionet do të kishin krijuar këtë kulturë të të punuarit, do të kishin mësuar nevojat e biznesit dhe do të orientoheshin drejt atyre”- thotë Dragushi për Gazeta Si, duke nënvizuar se ka një mungesë të thellë dialogu dhe bashkëpunimi mes shkollave dhe biznesit.

Sipas tij, oferta duke qenë e organzuar vetëm në shkollë, nuk merr tonalitetet e punës.
“Ti presupozon të prodhosh guzhinierë, të cilët e marrin porofesionin thjesht duke vëzhguar. I thua një hoteli; a ti sjell gocat e çunat të shohin nja dy orë? Është një koncept tejet i largët nga praktika në atë hotel për katër vite me radhë duke i ndërtuar kurikulat në mënyrë të atillë që të parashikosh kohën që do ti kushtosh teorisë dhe praktikës”- tregon ai.

Swisscontact përmes projektit “Aftësi për Punë” (2016-2023) me një investim total prej 17 mijë e 500 frangash zvicerane ka për qëllim mbi të gjitha rritjen e numrit të të punësuarëve të të diplomuarëve në arsimin profesional.

Faza e parë e projektit që përfundoi në fund të 2018-ës, i cili u zbatua në 5 shkolla dhe qendra të formimit profesional arriti që të rriste numrin e të punësuarëve në radhët e të diplomuarëve pranë shkollave ku është aplikuar projekti në masën 14% dhe të reduktonte nivelin e papunësisë në masën 8%.

Projekti, tregon Dragusha promovon fuqishëm praktikën në kompani në afatgjatë, që puna në institucion të planifikohet në mënyrë të atillë që nxënësit të kenë të përcaktuar qartë kohën që do të kalojnë në mënyrë të vazhdueshme pranë kompanisë.

“Këtu jemi investuar. Kemi investuar edhe në infrastrukturë për ti joshur, por kemi kuptuar që të rinjtë nuk duan të marrin zanate, profesione në Shqipëri sepse po nuk pate diplomë universitare, nuk martohesh. Të luftosh me këtë mendësi duhet të përballesh me prindërit”- sqaron serioz Dragusha duke nxjerrë një tjetër problematikë gjatë bisedës, atë të mungesës së orientimit të karrierës në arsimin 9-vjeçar.

Sipas tij, orientimi për karrierën luan një rol të rëndësishëm. Kjo lëndë, thotë ai, ka qenë në shkollë, por e zëvendësuan me orët shtesë të fiskulturës.

“Duke patur orientim për karrierën në klasën e tetë dhe të nëntë, nxënësit mund të zbulojnë talentet e tyre dhe të rrisin peshën specifike në vendimmarrje që do të shkojnë në arsim profesional apo jo”- shpjegon ai.

Dragusha thotë me bindje se mosshkuarja në shkollat e arsimit profesional në shumicën e rasteve është paragjykim se sa diskutim cilësie.

Dhe kjo është përgjegjësi disa palëshe.

Sipas Dragushës, shkollat profesionale nuk i hapin dyert e tyre të gjitha ditët e vitit për të informuar dhe për të treguar se çfarë realisht bëjnë, për të informuar prindërit dhe nxënësit. Prandaj, pakkush ka besim tek arsimi profesional, i cili mbetet i dorës së dytë.
Projekti i Swisscontact “Aftësi për punon” ka synuar fillimisht studimin e tregut, konsultim për ndryshimin e kurrikulave, shtimin e drejtimeve dhe afrimin e shkollave me biznesin përmes truezave të vazhdueshme dhe periodike.

Këtë vit shkollor 2019-2020 Swisscontact ka çelur drejtimin e Teknologjisë Ushqimore në shkollën profesionale të Lezhës “Kolin Gjoka” në të cilën janë regjistruar 25 nxënës.
“Një drejtim të tillë e ka edhe shkolla profesionale në Bushat, por atje nuk regjistrohet asnjë nxënës”- thotë Admir Merko, një tjetër specialist pranë projketit.

Kjo sipas tij ka ardhur si rezultat i dialogut me biznesin dhe si nevojë e tyre për specialistë të këtij drejtimi.

Sipas tyre, që gjendja e arsimit profesional të ndryshojë në vend duke afruar sa më shumë të rinj, të cilët do ta kenë të garantuar mundësinë për tu qasur në tregun e punës, duhet patjetër krijimi i urës lidhesë mes shkollës dhe biznesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë