Ngjarje

Viti i ri nis me 5 aksidente: 11 të plagosur në rrugët e vendit

Festat e fundvitit, por edhe fluksi i shtuar i automjeteve, kanë bërë që ky vit i ri të nisë me të plagosur nëpër disa aksidente.

Një aksident i trefishtë ka ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 10:00, në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, ku tri automjetet me drejtues shtetasit me inicialet E. Q., Ch. R. dhe E. L. janë përplasur në afërsi të fshatit Udënisht.

Aksidenti në Udënisht

Si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të plagosur 6 persona, të cilët ndodhen në spitalin e Pogradecit, dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Vetëm pak orë pas këtij aksidenti, po në të njëjtin aks rrugor, është regjistruar një tjetër aksident, në afërsi të fshatit Buqezë.

Aksidenti në afërsi të fshatit Buqezë

Në këtë aksident janë përfshirë dy mjete, ndërsa raportohet edhe për të paktën dy të plagosur. Bëhet me dije se policia dhe një ambulancë mbërritën pa humbur kohë në vendngjarje, ndërsa aksidenti ka sjellë bllokimin e rrugës dhe si rrjedhojë krijimin e trafikut.

Poashtu një aksident ka ndodhur ditën e sotme në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, në vendin e quajtur kryqëzimi i Gjadrit, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë e aksidentit mësohet se janë plagosur dy gra, të cilat aktualisht ndodhen në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetë.

Shumë i pazakontë ka qenë një aksident që është regjistruar mbrëmjen e sotme në hyrje të Rrugës së Elbasanit në Tiranë.

Siç shihet nga fotot e mësipërme, një automjet tip Benz ka dalë nga rrugë duke përfunduar në korsinë tjetër. Për pasojë, ka rrëzuar një pemë dhe është përplasur me një automjet që vinte në krah të kundërt.

Nuk raportohet për të plagosur në këtë aksident.

Ndërkohë në orët e pasdites së sotme (1 janar), rreth orës 18:30, një tjetër aksident ka ndodhur në aksin rrugor “Orikum-Vlorë”, ku ka mbetur i plagosur një 20-vjeçar.
Policia bën me dije se shtetasi me iniciale T. Z., 22 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga.

Si pasojë është dëmtuar pasagjeri që udhëtonte me të, shtetasi me iniciale A. M., 20 vjeç, i cili është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Vlorës.

“Sot rreth orës 18:30, në aksin rrugor “Orikum-Vlorë”, shtetasi T. Z., 22 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga. Për pasojë është dëmtuar pasagjeri që udhëtonte me të, shtetasi A. M., 20 vjeç, i cili u dërgua për ndihmë mjekësore në spitalin e Vlorës.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.”, thuhet në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë