Teknologji dhe Inovacion

Viti 2023 do na afrojë më shumë me teknologjinë. Cilat janë risitë?

Gazeta Si- 2023 do të sjellë disa ndryshime në teknologji që tashmë janë mes nesh si dhe do të sjellë teknologji të reja. Duke filluar nga prania e AI, tek përparimi i Metaverse dhe robotët që do i ngjajnë më shumë njeriut, këtu janë teknologjitë që priten të “zënë vend” në jetën tonë për 2023.

AI Kudo

Në vitin 2023, inteligjenca artificiale do të bëhet reale në organizata. Çdo biznes do të përdorë fuqinë e AI për të krijuar produkte dhe shërbime më inteligjente.

Blerjet dhe dërgesat pa kontakt, autonome do të jenë gjithashtu një trend i madh për vitin 2023. AI do ta bëjë më të lehtë për konsumatorët të paguajnë dhe të marrin mallra dhe shërbime.

Edhe shitësit me pakicë do të përdorin inteligjencën artificiale për të menaxhuar dhe automatizuar proceset komplekse të menaxhimit të inventarit.

Gjithashtu edhe në fabrika të ndryshme, punonjësve do tu duhet të mësojnë të punojnë me makineritë e AI për të bërë punën e tyre.

Metaverse do të bëhet më reale

Ekspertët parashikojnë se Metaverse do t'i shtojë 5 trilion dollarë ekonomisë globale deri në vitin 2030 dhe viti 2023 do të jetë viti që përcakton drejtimin e metaverses për dekadën e ardhshme.

Teknologjia e realitetit të shtuar (AR) dhe realitetit virtual (VR) do të vazhdojnë të përparojnë. Një fushë për t'u parë është mjedisi i punës në Metaverse dhe në vitin 2023 parashikohet që të ketë më shumë mjedise takimesh ku njerëzit të mund të flasin dhe të diskutojnë.

Ne do të shohim gjithashtu teknologji më të avancuar të avatarit në vitin 2023. Një avatar mund të duket tamam si ne në botën reale dhe madje ato do të përvetësojnë gjuhën dhe gjestet tona.

Gjithashtu do të zhvillohen edhe avatarët e aktivizuar nga AI, që do të ndërveprojnë si përfaqësuesit tonë në metaverse, edhe nëse nuk kemi një llogari në botën dixhitale.

Kompanitë tashmë po përdorin teknologjinë metaverse si AR dhe VR për të kryer trajnime dhe ky trend do të përshpejtohet në vitin 2023.

Do ketë përparime në Web3

Teknologjia Blockchain gjithashtu do të përparojë ndjeshëm në 2023 pasi kompanitë kanë filluar të krijojnë produkte dhe shërbime më të decentralizuara.

Blockchain do na ndihmojë gjithashtu edhe të ruajmë në mënyrë më të sigurt të dhënat tona.

Edhe NFT do të kthehen në diçka praktike dhe normale. Për shembull, në shumë koncerte njerëzit do të kenë bileta NFT. Gjithashtu NFT-të mund të jenë çelësat që do të përdorim për të blerë produkte dhe për të marrë shërbime dixhitale.

Natyrë gjithnjë e më e modifikueshme

Ne do të jetojmë në një botë ku mund të bëjmë ndryshime te materiali, bimët dhe madje edhe njerëzit duke i redaktuar ato. Nanoteknologjia na mundëson të krijojmë materiale me karakteristika krejtësisht të reja, të tilla si rezistenca ndaj ujit dhe aftësi vetë-shëruese.

Në vitin 2023 do të shohim teknologjinë e redaktimit të gjeneve të përshpejtohet për të na dhënë aftësinë në rritje për të "redaktuar natyrën" duke ndryshuar ADN-në.

Redaktimi i gjeneve funksionon paksa si përpunimi i tekstit, ku mund të hiqni disa fjalë dhe të shtoni të tjera. Redaktimi i gjeneve mund të përdoret për të korrigjuar mutacionet e ADN-së, për të zgjidhur problemin e alergjive ushqimore, për të shtuar të korrat apo edhe për të modifikuar karakteristikat njerëzore si ngjyra e syve dhe e flokëve.

Progresi në Teknologjinë e Gjelbër

Një nga sfidat më të mëdha me të cilën po përballet bota tani është frenimi i emetimeve tona të karbonit në mënyrë që të mund të trajtojmë krizën klimatike.

Në vitin 2023, do të ketë progres në teknologjinë e gjelbër. Shell dhe RWE, dy kompani të mëdha europiane të energjisë, po krijojnë tubacionin e parë të madh të gjelbër nga impiantet e erës në Detin e Veriut.

Do të shohim gjithashtu progres në zhvillimin e rrjeteve të decentralizuara të energjisë. Prodhimi i shpërndarë i energjisë duke përdorur këtë model siguron një sistem të gjeneratorëve të vegjël të energjisë dhe magazinimit që ndodhen në komunitete ose shtëpi individuale, kështu që ata mund të kenë energji edhe nëse rrjeti kryesor nuk është i disponueshëm. Tani për tani, sistemi ynë energjetik dominohet kryesisht nga kompani të mëdha gazi dhe energjie, por nismat e decentralizuara të energjisë kanë potencialin për të ndryshuar këtë, duke ulur emetimet e karbonit.

Robotët do të bëhen më njerëzorë

Në vitin 2023, robotët do të ngjajnë edhe më shumë me njerëzit, në pamje dhe aftësi. Këto lloj robotësh do të përdoren në botën reale si prezantues të ngjarjeve, banakierë, portierë dhe shoqërues për të moshuarit. Ato gjithashtu do të kryejnë detyra komplekse në depo dhe fabrika ndërsa punojnë së bashku me njerëzit.

Në shtator 2022, Elon Musk zbuloi dy prototipe të robotëve humanoidë Optimus dhe tha se kompania do të jetë gati të marrë porosi brenda 3 deri në 5 vitet e ardhshme. Roboti mund të kryejë detyra të thjeshta si ngritja e sendeve dhe ujitja e bimëve, kështu që ndoshta së shpejti do të jemi në gjendje të kemi “robot shërbëtorë” që ndihmojnë në shtëpi.

Progresi në Sistemin Autonom

Udhëheqësit e bizneseve do të vazhdojnë të bëjnë përparim në krijimin e sistemeve autonome, veçanërisht rreth shpërndarjes dhe logjistikës. Shumë fabrika dhe magazina tashmë janë bërë pjesërisht ose plotësisht autonome.

Në vitin 2023, ne do të shohim edhe më shumë kamionë dhe anije vetë-drejtuese, si dhe robotë dërgues, dhe akoma më shumë depo dhe fabrika do të zbatojnë teknologjinë autonome.

Teknologji më e qëndrueshme

Më në fund, do të shohim një shtytje drejt teknologjisë më të qëndrueshme në vitin 2023. Shumë (nëse jo shumica) prej nesh janë të varur nga teknologjia si telefonat inteligjentë, tabletët dhe kompjuterët tanë, por nga vijnë artikujt për të prodhuar pajisjet tona të preferuara? Në 2023 njerëzit do të mendojnë më shumë se ku e kanë origjinën artikuj të tillë si çipat kompjuterikë dhe si po i konsumojmë ato.

Viti 2023 do sjellë teknologji të reja apo dhe përparim të teknologjive që kanë qenë mes nesh deri tani. Diçka është e sigurt, bota virtuale dhe ajo reale do jenë më afër se kurrë në 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë