Lojëra me Dore

Virusi prek dhe tenisin, Uild del pozitiv, Federer dhuron 1 mln franga

Koronavirusi është prezantuar edhe në botën e tenisit. Me anë të profilit të tij në Tuiter, tenisti Thiago Seiboith Uild ka bërë të ditur se ka rezultuar pozitiv në testin e Covid-19. Braziliani 20-vjeçar është i pari tenist i konfirmuar pozitiv deri tani.

Thiago Uild, tenisti brazilian i prekor nga Koronavirusi. Gazeta Si, 25 mars 2020

Nga ana tjetër, Roxher Federer, një nga emrat më të mëdhenj të tenisit, ka dhuruar 1 milion franga zvicerane për familjet që po hasin vështirësi për shkak të pandemisë së Koronavirusit në Zvicër. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Federer me anë të një postimi në profilin e tij në Instagram.

"Janë kohëra të vështira për të gjithë dhe askush nuk duhet harruar, - shkruan Federer. Mirka dhe unë kemi vendosur të dhurojmë një milion franga për familjet më në nevojë të Zvicrës në këtë moment. Kontributi ynë është vetëm fillimi dhe shpresojmë që të tjerë njerëz të na bashkohen për të mbështetur ato familje që kanë më shumë vështirësi aktualisht. Të gjithë bashkë mund ta kalojmë këtë krizë. Ju uroj shëndet të mirë të gjithëve!"

Shumë nga personalitet e sportit kanë bërë donacione kohët e fundit për përballimin e pandemisë së Koronavirusit. Klube dhe individë të ndryshëm kanë vënë në dispozicion të personave më në nevoja shuma të ndryshme, ku “rekordin” e mban ish-presidenti i Milanit dhe ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni, me 10 milionë euro të dhuruara për Lombardinë, zonën më të prekur nga virusi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë