Shendet

Virusi i Nilit Perëndimor përhapet në Europë, raste të konfirmuara në Maqedoni e Greqi

Nga Gazeta ‘Si’- Sezoni i transmetimit të virusit të Nilit Perëndimor ka nisur në shumë pjesë të Europës, me raste të transmetimit lokal të konfirmuara në Greqi, Itali, Spanjë, Rumani dhe Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave më të fundit të Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Në Greqi janë regjistruar 21 raste të transmetuara lokalisht deri më 22 korrik.

Nga këto, 20 pacientë kanë zhvilluar komplikacione neurologjike, si encefalit, meningjit ose paralizë akute, ndërsa një person ka shfaqur vetëm simptoma të lehta. Deri tani nuk është raportuar asnjë viktimë, ndërsa 13 pacientë vijojnë të trajtohen në spital.

Vetëm gjatë javës së fundit u identifikuan 14 raste të reja. Autoritetet greke raportuan edhe një rast me histori të ndërlikuar udhëtimesh, për të cilin ende nuk është përcaktuar vendi i infektimit.

Situata në vendet e tjera

Sipas ECDC-së, deri më 15 korrik në Europë dhe vendet fqinje janë regjistruar gjithsej 33 raste të transmetimit lokal të virusit.

Italia është vendi më i prekur, me 20 raste të shpërndara në 16 zona të ndryshme. Numri më i madh i rasteve është raportuar në Novara, ndërsa raste janë regjistruar edhe në Milano, Firence, Napoli, Verona, Padova, Modena dhe Ferrara.

Në Maqedoninë e Veriut janë konfirmuar dy raste, në rajonet e Shkupit dhe Vardarit. Dy raste janë raportuar edhe në Rumani, në rajonet Argeș dhe Suceava, si dhe dy raste në Spanjë, në Alicante dhe Sevilje.

Harta e ECDC-së tregon se në Itali 11 nga 16 zonat e prekura u shtuan vetëm gjatë javës së fundit, çka tregon një zgjerim të shpejtë të qarkullimit të virusit.

Shumica e rasteve në Greqi janë në Atikë

Pjesa më e madhe e infektimeve në Greqi është regjistruar në rajonin e Atikës, ndërsa raste janë raportuar edhe në Larisa dhe Palamas.

Edhe pse në disa zona nuk janë konfirmuar ende raste te njerëzit, autoritetet shëndetësore greke i kanë klasifikuar ato si me rrezik të lartë për shkak të afërsisë me zonat ku virusi po qarkullon.

Sipas autoriteteve greke, fakti që raste të virusit raportohen pothuajse çdo vit që nga viti 2010 tregon se ai është tashmë i vendosur në vend, një situatë e ngjashme me disa shtete të tjera europiane.

ECDC publikon përditësime javore gjatë verës, pasi përhapja e virusit ndikohet nga kushtet atmosferike, numri i mushkonjave dhe lëvizja e shpendëve të egër, të cilët janë rezervuari natyror i virusit.

Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve të marrin masa mbrojtëse kundër pickimeve të mushkonjave, pasi nuk është e mundur të parashikohet me saktësi se cilat zona do të preken gjatë këtij sezoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë