Ngjarje

Vila e Marilyn Monroe rrezikon shembjen. Revoltohen fansat dhe shoqatat kulturore

Pronari aktual mori leje nga qyteti i Los Anxhelosit për të rrafshuar pronën.

Fansat e Marilyn Monroe po bëjnë trazira në Los Anxhelos. Shtëpia në të cilën aktorja kaloi vitet e fundit të jetës së saj dhe ku u gjet e vdekur më 5 gusht 1962 do të shembet së shpejti. Këtë javë bashkia i dha pronarit lejen për të prishur rezidencën: një shtëpi e stilit spanjoll, 270 metra katrorë në një kat, me një kopsht dhe pishinë në pjesën e pasme.

Ndërtimi

E ndërtuar në vitin 1929, vila qëndron në fund të një rruge të qetë pa rrugëdalje në Brentwood, një lagje luksoze ku vlera e tokës së ndërtimit tani po rritet në qiell. Pikërisht për këtë, pronari kërkon të prishë shtëpinë, e cila është mjaft modeste për parametrat aktualë dhe për zonën në të cilën ndodhet, dhe ta bëjë pjesën më fitimprurëse.

“Një vend me interes historik dhe kulturor”

“Është një sulm ndaj historisë dhe kulturës së këtij qyteti”, thotë Adrian Scott Fine, nga LA Conservancy, një shoqatë që lufton për të ruajtur perlat arkitekturore dhe vendet historike të Los Anxhelosit, që shpesh datojnë në dekadat e para të shekullit të 20-të, ose në epokën e artë të Hollivudit dhe të shitur në një treg të pasurive të paluajtshme që nuk njeh krizë.

“Ne po mbledhim firma dhe po i shtyjmë qytetarët të telefonojnë këshilltarin e urbanistikës. E vetmja shpresë është që ai të heqë lejen e shembjes dhe ta shpallë shtëpinë një vend me interes historiko-kulturor”.

Kjo është ajo që i ka kërkuar edhe këshilltares së qytetit Traci Park të premten në mëngjes, duke paraqitur një mocion që mbron pronën: “Është hapi i parë për të ndaluar buldozerët, shpresojmë që inteligjenca të mbizotërojë mbi lakminë në asamblenë bashkiake”, shpreson Scott Fine.

Shtëpia e blerë pas divorcit

Aktorja, protagoniste e klasikëve të komedisë si “The Seven Year Itch”, “Some Like It Hot” apo “Gentlemen Prefer Blondes”, ndërronte shumë shpesh vendbanimin në qytet. Por, e vetmja shtëpi që ajo bleu për vete ishte shtëpia e bardhë në Brentwood. Ajo e bleu në vitin 1961, në fund të martesës me dramaturgun Arthur Miller, për 75 mijë dollarë.

“Udhëtimi im përfundon këtu”

Shtëpia – e cila ka mbetur pak a shumë e pandryshuar – u shit për herë të fundit një muaj më parë, për 8.4 milionë dollarë. Përpara derës së hyrjes ka ende pllakat mbi të cilat Marilyn kishte shkruar “Udhëtimi im përfundon këtu” në latinisht. Një ogur i trishtë: disa hapa më tutje, në dhomën e gjumit, diva u gjet e pajetë, e vrarë nga një mbidozë barbituratesh. Ajo ishte 36 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë