Ngjarje

Viktimat e përdhunimit të luftës në Kosovë, kërkojnë drejtësi në Kongresin e SHBA-së

Vafsije Krasniqi Goodman, gruaja e parë në Kosovë e cila ka folur publikisht se ka qenë viktimë e përdhunimit gjatë kohës ë luftës, dëshmoi në një seancë të komitetit të çështjeve të jashtme së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA në Uashington DC të martën se, SHBA duhet të vendosë drejtësinë për viktimat e krimeve të luftës.
Në dëshminë e saj në seancën e komisionit, Krasniqi Goodman tha : “Viktimat e kohës së luftës në Kosovë, kërkojnë drejtësi”. Ajo ishte vetëm 16 vjeç kur u përdhunua nga policia serbe në fshatin e saj më 1999.
“Më pas bërtita shumë fort, duke kërkuar që ai të më vriste. Jo, tha ai, unë nuk do të vras, sepse ti do të vuash më shumë në këtë mënyrë. Ai kishte të drejtë, unë kam vuajtur shumë,” u shpreh ajo.
Ajo tha se gjithçka që donte ishte drejtësi.
"Unë kurrë nuk do të kem paqe, duke kujtuar të kaluarën time derisa drejtësia të vendoset. Kështu që sot i bëj thirrje përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, që të ndëshkojnë krimet e luftës dhe abuzimet duke ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe të kërkojnë drejtësi për të mbijetuarit,” shprehet ajo.

Ambasadori i Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, vlerësoi dëshminë e Krasniqit Goodman, duke thënë se pati një ndikim të madh emocional ndaj anëtarëve Kongresit të SHBA që ishin të pranishëm.
"Ra heshtja dhe të gjithë u emocionuan,” shkroi Citaku në Twitter.
Ilir Bytyqi, një shqiptaro-amerikan, tre vëllezërit e të cilit u vranë pasi u arrestuan nga policia serbe në vitin 1999, dëshmoi gjithashtu në seancën e komisionit e edhe ai kërkonte drejtësi për krimet e luftës.
Bytyqi akuzoi autoritetet serbe për mbrojtjen e vrasësve.
“Presidenti Vucic mbron kriminelët që vranë vëllezërit e mi,” tha ai.
Trupat e tre vëllezërve të tij, u gjetën në një varr masiv në një qendër trajnimi policore në Petrovo Selo në Serbinë lindore. Autoritetet serbe hapën një hetim për këtë rast në vitin 2002, por deri më tani nuk janë ngritur akuza.
Eliot Engel, kongresmeni që kryeson komitetin e punëve të jashtme, tha se kishte takuar Vuçiçin dy herë në zyrën e tij dhe të dyja herë lideri serb, kishte thënë se do të përpiqej të zgjidhte rastin vëllezërve Bytyqi, por nuk e kishte mbajtur fjalën.
"Kjo do të thotë se fjalët e tij nuk do të thonë absolutisht asgjë", tha Engel.
Paul Williams, një profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, në Kolegjin e ligjeve në Uashingtonit, u shpreh se nëse kompetenca e të ashtuquajturës Gjykata Speciale, mund të shtrihej tek serbët, ata do të ishin përgjegjës për përdhunimet dhe sulmet seksuale gjatë luftës.
"Asnjë nga paditë e autorëve të regjimit serb, nuk përfshinte akuza për përdhunim, ose dhunë seksuale. Vetëm gjashtë autorë të regjimit serb, u dënuan nga gjykata e OKB-së,”tha Williams.
Ndër të tjera ai tha se ndjekja penale e dhunës seksuale gjatë luftës, duhet të jetë një fokus i veçantë për gjykatën.
Ish-Presidentia e Kosovës Atifete Jahjaga tha se përdorimi i përdhunimit, si një armë lufte do të ketë një ndikim të përhershëm ndaj viktimave dhe komuniteteve.
“Kam takuar qindra gra të mbijetuara nga dhuna seksuale. Përvoja e tyre e frikshme është ende e gjallë. Ato ende vuajnë nga lëndimet fizike,” Jahjaga, i cila mbështeti të drejtat e viktimave të përdhunimit, gjatë kohës së luftës. /BIRN/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë