Ka ndodhur

Vidhen dokumente të pronave në Vlorë. Hajduti hyri nga dritarja dhe doli nga dera

Disa dokumente që dyshohet se i përkasin çështjeve të pronave, janë vjedhur mbrëmjen e të hënës në Zyrat e Këshillit të Qarkut të Vlorës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 te Pallati i Kulturës të qytetit bregdetar dhe deri tani raportohet se dokumentet janë marrë nga zyra e administrimit të tokave.

Sipas policisë, dyshohet se një person i paidentifikuar ka vjedhur me thyerje zyrat e qarkut, duke marrë prej andej disa dosje.

Drejtori i Administrimit të Mbrojtjes së Tokës në Vlorë, Bardhyl Gjika, u shpreh se janë vjedhur zyrat më me rëndësi të qarkut.

Ai thekson se nuk dihet ende se cilat dokumente janë vjedhur dhe se pritet të bëhet një inventar. “Një person ka ardhur me mjete të forta dhe ka hapur zyrat e pronave. Po merret policia dhe po bëjmë dhe një inventar për të saktësuar se çfarë mungon. Janë vjedhur zyrat e drejtorisë së administrimit dhe mbrojtjes së tokës”.

Sipas tij, bëhet fjalë për dosje të rëndësishme: “Nëse humb një dokument origjinal ka rrezik, nuk është njësoj si një dokument fotokopjeje. Sipas të dhënave, ka hyrë nga dritarja te zyra e zëdhënësit dhe më pas ka dalë nga dera kryesore”, – shtoi Gjika.

Sipas informacioneve paraprake, roja e godinës ka qenë në kabinën kryesore dhe pritet që dëshmia e tij të japë një ndihmë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Mësohet se roja ka shkuar në institucion të kontrollojë dritaret, kur është gjendur përballë hajdutit, i cili e ka kërcënuar me armë që të mos flasë dhe më pas është larguar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë