Ka ndodhur

Vidhen 220 mijë lekë në Drejtorinë e Ujësjellës Kanalizimeve në Kuçovë, institucioni pa kamera sigurie

Gazeta Si - Persona të paidentifikuar kanë vjedhur gjatë natës mes të dielës dhe kësaj të hëne pagesat e ujit të pijshëm në Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve në Kuçovë.

Hajdutët janë futur brenda godinës nga njëra prej dritareve të kësaj drejtorie dhe pasi kanë shqyer arkën me levë, kanë marrë 2 milionë e 200 mije lekë (të vjetra) që ndodheshin brenda saj.

Policia thotë se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa thekson se nga këqyrja e vendit të ngjarjes nuk janë konstatuar dëmtime të dyerve dhe dritareve, por vetëm të kasafortës, ku ndodhej shuma e parave.

Vjedhja e kasës është pikasur nga punëtorët e kësaj drejtorie mëngjesin e kësaj të hëne (22 prill), pasi kanë mbërritur në punë.

Punonjësit kanë vënë re kasën e shqyer dhe kanë njoftuar policinë. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë, që po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Mësohet se policia ka marrë në pyetje punonjësit e kësaj drejtorie si dhe po kërkon vendndodhjen e kamerave të mundshme të sigurisë të bizneseve përreth zonës, pasi vetë institucioni nuk ka kamera, gjë që e bën të vështirë identifikimin e autorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë