Teknologji dhe Inovacion

Videot e fabrikuara me inteligjencë artificiale po shtrembërojnë perceptimin për jetën e egër

Videot dhe fotografitë e krijuara me inteligjencë artificiale po ndikojnë në mënyrën se si publiku e kupton jetën e egër, duke rrezikuar përpjekjet për ruajtjen e specieve dhe duke përhapur informacione të pasakta.

Ky është përfundimi i një studimi të publikuar në Conservation Biology nga studiues të Universitetit të Kordobës. Sipas tyre, përmbajtja e gjeneruar me AI po bëhet gjithnjë e më bindëse, duke krijuar një imazh të rremë mbi sjelljen e kafshëve.

Studiuesit sjellin si shembull videot virale që tregojnë kafshë duke shfaqur sjellje të ekzagjeruara ose emocione njerëzore, si zogj që mbrojnë të vegjlit nga shiu apo grabitqarë që sillen miqësisht me prenë e tyre. Sipas tyre, këto pamje krijojnë pritshmëri të gabuara dhe mund t’u japin njerëzve një ndjenjë të rreme sigurie ndaj kafshëve të egra.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se këto materiale mund të favorizojnë vetëm speciet më të njohura në rrjetet sociale, duke lënë në hije kafshë të tjera që kanë nevojë për mbështetje në projektet e ruajtjes.

Një tjetër shqetësim lidhet me përdorimin e inteligjencës artificiale në përpunimin e fotografive të natyrës. Sipas një studimi të publikuar në Nature Ecology and Evolution, edhe ndryshimet e vogla në imazhe mund të çojnë në identifikimin e gabuar të specieve dhe të dëmtojnë të dhënat që përdoren në kërkimet shkencore.

Autorët e studimeve kërkojnë rritjen e edukimit mediatik dhe përdorimin me përgjegjësi të mjeteve të inteligjencës artificiale, në mënyrë që publiku të jetë më i aftë të dallojë përmbajtjen reale nga ajo e fabrikuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë