Gazeta Si - Tre persona janë arrestuar në Tiranë, të akuzuar për falsifikimin e dokumenteve në një subjekt privat (firmë) në Yzberisht, ku kryheshin dhe krime të tjera ekonomiko-financiare.
Gjatë operacionit "Vula", u arrestuan në flagrancë shtetasit: Ç. B., 53 vjeç, banues në Tiranë, bashkëpronar i firmës, i dënuar më parë ndër të tjera dhe për kontrabandë; A. R., 55 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i firmës; F. Sh., 54 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasit Ç. B. dhe A. R., nëpërmjet vulave false të institucioneve të ndryshme shtetërore brenda dhe jashtë Shqipërisë, iu siguronin dokumente (leje qarkullimi, libreza, deklarata noteriale, dokumente shkollore dhe dëshmi të aftësive profesionale) shtetasve të ndryshëm. Ndërkaq, shtetasi F. Sh. u kap në flagrancë duke marrë një certifikatë pronësie, të dyshuar të falsifikuar.
Në ambientet e subjektit privat u gjetën 210 shishe me verë, të dyshuara të kontrabanduara, si dhe u konstatua se ishin punësuar shtetas, pa u siguruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.