Gazeta Si – Një 41-vjeçar, Erjon Javori është vrarë me armë zjarri rreth orës 11:00, në lagjen “16 prilli” në Fier mesditën e kësaj të enjteje.
Ai dyshohet se u ekzekutua me një plumb pistolete, sapo zbriti nga makina e tij, për shkaqe dhe në rrethana momentalisht të panjohura. Autor i ngjarjes dyshohet se është Agim Gashi, 35 vjeç, i cili u shpall në kërkim nga policia.
Identifikimi i tij u bë përmes kamerave të sigurisë në zonë, pasi lagjia ku ndodhi vrasja e 41-vjeçarit është e mirëmonitoruar.
Deri në këtë fazë të hetimit, policia dhe Prokuroria e Fierit dyshon se ngjarja mund të ketë ndodhur për motive të dobëta.
Burime pranë grupit hetimor, bënë me dije se bëhet fjalë për një konflikt të krijuar pas një krushqie të prishur.
Viktima është nipi i Demir Backës, vëllai i ish-anëtarit të bandës së Fierit, i cili u vra me breshëri plumbash më 23 tetor 2021 pranë një qendre tregtare në Fier.
Backa ishte vëllai i një ish-anëtari të bandës së Fierit të vrarë në vitin 1997, Medi Backa, i cili u vra në atë që u quajt asokohe masakra e Levanit bashkë me 23 persona të tjerë.
Fisi Backa, me të cilin raportohet se ka lidhje Erion Javori është me origjinë nga Kosova e banim të hershëm në Fier.
Megjithatë nuk dihet nëse ngjarja e sotme ka lidhje me atentatin e para dy viteve. Edhe pse është raportuar që policia ka identifikuar autorin, edhe pse ende nuk bëhet i ditur emri i tij
Pas vrasjes, janë ngritur pika kontrolli në çdo aks rrugor, si dhe vijon intensivisht krehja e zonës. Në njoftimin e saj për mediat, policia tha se e ka identifikuar autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje dhe aktualisht po punon për kapjen e tij.
Viktima Erjon Javori mësohet se kishte rreth 3 muaj që ishte kthyer nga Gjermania. Fqinjët e 41-vjeçarit të vrarë, shprehen të tronditur për ngjarjen.
Në një deklaratë për mediat pas vrasjes, një prej fqinjëve ka deklaruar se ai ishte djalë i edukuar dhe i shoqërueshëm.
“Ai jetonte me familjen, ka babanë, nënën, vëllezërit i ka në Gjermani Ky djalë ka qenë i mrekullueshëm, djalë i edukuar, djalë i shoqërueshëm. Ne e kemi shok”, shprehet fqinji.
Për ngjarjen reagoi edhe kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. “Janë marrë të gjitha masat për kapjen e autorit. Tashmë e kemi të identifikuar autorin, po punohet për sqarimin e rrethanave dhe motiveve që kanë çuar me këtë krim të rëndë. Ju siguroj që brenda një kohe të shkurtër, Policia e Shtetit, në lidhje me rastin do të vejë para drejtësisë autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë”, tha Rrumbullaku i pyetur nga gazetarët gjatë një konference për mediat.
Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.