Ngjarje

Video / Vrau të atin dhe e groposi, Hygerta Meta kthehet në vendin e krimit e rrethuar nga policia

Video / Vrau të atin dhe e groposi, Hygerta Meta kthehet në vendin e krimit e rrethuar nga policia

Gazeta Si - Pak orë pasi ka pranuar vrasjen e babait të saj 50-vjeçar, Hygerta Meta është rikthyer në vendin e krimit.

E shoqëruar nga policia dhe grupi i hetimit, 19-vjeçarja që banonte në Shënavlash të Durrësit, ka treguar dinamikën e vrasjes së Pëllumb Metës.

Me një maskë në fytyrë, siç shihet dhe në video, ajo mbahet për krahu nga një oficere policie, ndërsa hetuesit i bëjnë pyetje.

Pikërisht tek kjo kasolle që ndodhet në oborrin e shtëpisë, ajo varrosi të atin, pasi e ekzekutoi atë me armë zjarri.

19-vjeçarja, studente për Administrim Biznes në Tiranë, e ka pranuar krimin dhe ka deklaruar se e vrau të atin sepse ai donte ta martonte pa dëshirën e saj.

Ajo po ashtu ka deklaruar se krimin e ka kryer e vetme, se e ka vrarë të atin me pistoletë në katin e dytë të shtëpisë dhe më pas e mbështjellë me qese dhe e ka groposur në kasolle.

Dyshimet e hetuesve janë se ajo mund të mos ketë vepruar e vetme dhe të jetë ndihmuar nga familjarët.

Ndaj dhe për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje, hetuesit e kanë çuar atë pikërisht në skenën e krimit, ku e reja ka treguar hap pas hapi gjithçka ka ndodhur.

Dyshime që shtohen dhe më shumë pas deklaratës së krushkut të familjes Meta, i cili pohoi për mediat se “Hygerta nuk vriste dot një pulë”.

Autoritetet po kërkojnë edhe armën e krimit, që nuk kanë mundur ta gjejnë ende. Trupi i 50-vjeçarit Pëllumb Meta u zbulua mëngjesin e kësaj të premteje, 10 ditë pasi ishte denoncuar i zhdukur nga djali i tij 25-vjeçar.

Krimi është kryer me një armë pistoletë, të cilën viktima e mbante pa leje në banesë dhe që sipas dëshmisë së 19-vjeçares pas kryerjes se krimit e ka hedhur në sektorin “Rinia” të plazhit. Atje vajza kishte lënë edhe mjetin e të atit për të humbur gjurmët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë