Lojëra me Dore

Video/ Vetëm 14 vjeç dhe 2.26 m e gjatë, Kina zbulon Yao Ming në versionin femër

Në jetën e përditshme është një pengesë jo e vogël. Të jesh 226 centimetra e gjatë dhe vetëm 14 vjeç, jo vetëm që nuk mund të kalosh pa u vënë re nga të tjerët, por mund të hasësh vështirësi të mëdha përshtatshmërie. Në terrenin e vet mund të ndhet vetëm në ato 28 metra gjatë dhe 15 gjerësi të parketit, ku gjatësia është një avantazh, sidomos kur je një kokë mbi të tjerët.

Zhang Ziyu i dominon të gjitha kundërshtaret nga lart, siç ka treguar në turneun e Jingzhou, në finalen e U-15. Shifrat e saj janë të jashtëzakonshme, si të një ylli të NBA-së: 42 pikë, 25 ribaunde dhe 6 stopime. Diçka shumë e lehtë, duke parë diferencën në gjatësi me rivalet. Një video që tregon Ziyu gjatë finales është bërë virale në pak orë, duke kaluar 3 milionë e gjysmë shikime.

Ajo ka lindur në maj të 2007-ës, në provincën e Shandong dhe që në klasën e parë ishte 157 centimetra e gjatë. Janë të pashmangshme krahasimet me Yao Ming, ish-basketbollistin e famshëm kinez që ka shkruar historinë e këtij sporti në vendin e Maos, madje ka qenë edhe një yll në NBA me Hjuston Rokets.

Të dy prindërit e Zhang kanë qenë basketbollistë, nëna Yu Ying 198 centimetra e gjatë, kurse babai, 213 centimetra i gjatë, ka luajtur edhe me kombëtaren kineze. E ardhmja e 14-vjeçares është e sigurt, ajo mund të “hakmerret” ndaj fatit që i ka dhuruar një jetë jo edhe aq normale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë