Pesë turistë janë të konfirmuar të vdekur deri më tani nga shpërthimi i vullkanit në Ishullin e Bardhë në Zelandën e Re. Shifra pritet që të rritet deri në 40 të vdekur, pasi policia beson se nuk ka të mbijetuar.
Krateri i vullkanit ka qenë një ndër destinacionet turistike më të vizituara në Zelandën e Re. Pesë turistët që konfirmon të vdekur, sipas autoriteteve neozelandeze, ndodheshin brenda rrezes së kraterit në momentin e shpërthimit të beftë të llavës.
Autoritetet besojnë se pluhuri toksik i çliruar nga vullkani nuk i ka lënë kohë këtij grupi turistësh që të largohen prej andej, ndërsa shifra pritet që të rritet në orët dhe ditët në vazhdim për shkak se prej kaosit të krijuar një numër i konsiderueshëm turistësh u lanë në brigjet e ishullit në pritje të shpëtimit.
Videot amatore kanë kapur momentin e shpërthimit të vullkanit. Njëra prej tyre është filmuar nga një varkë në largim nga një grua, që thotë përmes Tëitter-it se vetëm 20 minuta më parë ishte në ishull së bashku me burrin dhe fëmijët e saj.
Gruaja thotë se fati deshi që ajo të largohej, ndërkohë që në pamjet e filmuara duket qartë një grup prej të paktën 10 turistësh që presin në brigjet e ishullit për shpëtim.
Autoritetet besojnë se edhe ky grup turistësh ka humbur jetën, ose nga tymi toksik i çliruar nga vullkani, ose nga aciditeti e temperaturat të larta të krijuara në ujin e detit pas rënies në kontakt me llavën e çliruar nga vullkani.
Kjo ishte hera e parë që ky vullkan shpërthen që prej vitit 2001 në përmasa të tilla, ndërkohë që në 20 vitet e fundit është mbyllur disa herë për turistët për shkak të aktivitetit të moderuar të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.