Euro 2020

Video/ Spanja bën blofin e parë, vetëm një pikë ndaj Suedisë

Spanja zhgënjen në ndeshjen e parë të Euro 2020, vetëm 1 pikë ndaj Suedisë pas barazimit 0-0. Mund të shkonte edhe më keq në fakt për skuadrën e Luis Enrikes, nëse nuk do të ishte ndihmuar nga shtylla në rastin e Isak në pjesën e parë, apo nëse Berg do të shënonte nga shumë afër portës në të dytën.

Në Sevilje, Spanja bëri lojën dhe e mbylli Suedinë në gjysmëfushën e saj, por hasi në një Olsen të pakalueshëm. Portieri suedez shmangu golin, duke reaguar shumë mirë ndaj një një gjuajtjeje me kokë të Dani Olmos vetëm pas 16 minutash lojë. Alvaro Morata shpërdoroi një rast të pastër, duke gjuajtur jashtë, teksa ishte i vetëm brenda zonës.

Në pjesën e dytë trajneri Enrike hodhi në fushë edhe Sarabian, Fabian Ruiz, Alkantarën dhe Gerard Morenon, por goli i fitores do të mbetej vetëm një dëshirë. Në minutën e fundit të ndeshjes Olsen tregoi sërish reflekset e tij, duke i thënë “Jo” Gerard Morenos.

Grupi E kryesohet nga Sllovakia pas ndeshjeve të para. Ajo mundi 1-2 Poloninë, pas një autogoli të Sheznit dhe një goli të Shkriniar. Polonia luajti me 10 vetë për 30 minuta, pasi Krushoviak u ndëshkua me karton të kuq, i pari në këtë Europian.

Spanjë-Suedi 0-0
Spanja (4-3-3): Unai Simon, M.Lorente, Pau Torres, Laporte, Zhordi Alba, Koke (Fabian Ruiz), Rodri (Alkantara), Pedri, Ferran Torres (Ojarzabal), Morata (Sarabia), Dani Olmo (Gerard Moreno). Trajner: Luis Enrike
Suedia (4-4-2): Olsen, Lustig (Krafth), Lindelof, Danielson, Augustinson, S.Larsson, Ekdal, Olson (Cajuste), Forsberg (Bengtsson), Berg (Kuaison), Isak (Klaeson). Trajner: Anderson 6


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë