Ngjarje

Video-skandali, kryeparlamentari Veseli akuzohet për lidhje me krimin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është përfshirë në një skandal tronditës për fajde, mashtrim dhe lidhje me grupe kriminale.

Në reagimin e tij të parë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, hodhi poshtë përfshirjen në disa video-incizime, ku shihen disa persona të dyshuar për vepra kriminale duke marrë para dhe duke përmendur emrin e tij.

Veseli mohoi akuzat dhe kërkoi përgjegjësi nga organet e rendit dhe drejtësisë. Sipas videove të publikuara këtë javë nga mediat në Prishtinë, vërtetësia e të cilave nuk është konfirmuar ende, ngjarja ka ndodhur në vitet 2012-2013.

Gjithçka duket se ka nisur me marrjen e lejes për ndërtimin e një spitali privat në hapësirat e QKUK-së, e cila është bërë përmes fajdeve dhe mashtrimit nga një grup prej së paku 8 personash. Dy protagonistët në këtë video, flasin për shuma të mëdha parash që biznesmeni Faton Dalladaku thotë se i dha për t’u ndërtuar spitali privat. Teksa flasin për një anëtar të Partisë Demokratike tw Kosovws, Rrahim Hashimin, si personi që do të ndihmonte Dalladakun për ta ndërtuar spitalin, ky i fundit, përmend edhe emrin e Kadri Veselit. Ai thotë se Veseli ka marrë 200 mijë euro ryshfet.

Në një konferencë të jashtëzakonshme, Kryeparlamentari ka thënë se nëse ajo që thuhet në video është evërteta se edhe ai është përfshirë në këtë rast korrupsioni, ai do të japë dorëheqjen.
“Nëse del se është e vërtetë se jam përfshirë në këtë rast unë jam i gatshëm nga sot të jap dorëheqjen. Ky është morali im. Ky është besimi im. Kjo është politika ime. E them me siguri të plotë, emri im është keqpërdorur në këtë akt kriminal. Kur të dalë e vërteta e kësaj videoje, atëherë dikush duhet të japë llogari penale dhe institucionale. Pavarësisht a janë pjesë e policisë, sistemit të drejtësisë, ose politikës”, deklaroi Veseli.

https://www.youtube.com/watch?v=Ad7S-9izhAw

Ai ka kërkuar të sqarohen disa çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e organeve dhe institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë.

“Si është e mundur që për këtë rast, që paska pasur fakte në vitin 2013, të ndërmerren veprime 6 vjet vonesë. Kush është ai, ose ata persona që e kanë mbuluar këtë skandal për më shumë se 6 vjet. Kujt dhe për çfarë llogarie i është dashur kjo vonesë që paska mundësuar edhe mbulimin dhe mos-dënimin e veprave penale. Pse këto video-incizime kanë qenë në sirtaret e policisë apo të prokurorisë për kaq vjet”, pyet ai.

Kryeparlamentari është zotuar se do t’i shkojë deri në fund këtij hetimi.

“Shihet qartë se kjo është një skemë e krimit të organizuar dhe ju siguroj do t’i shkohet deri në fund. Edhe sikur vëllai im të ishte i përfshirë në krim do të shkojmë deri në fund. PDK-ja nuk është e përfshirë në këtë krim. Ne po bëjmë reforma edhe brenda partisë dhe do të përkujdesemi që njerëz të tillë të mos jenë me ne”, ka thënë Veseli.

Pas publikimit të kësaj videoje, Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona, nën dyshimet për fajde, detyrim dhe mashtrim. Sipas mediave në Prishtinë, të dyshuarit, kanë pasur qëllim vite më parë përfitimin në mënyrë të paligjshme nga pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme.

Videoja ka shkaktuar edhe një reagim të ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka deklaruar se megjithëse e gjithë Kosova e di se po vërtetohet që Veseli është pjesë e rastit kriminal, ai nuk jep dorëheqjen, ndërkohë që duhet të shkojë drejt e në burg.

Sipas Vetëvendosjes dorëheqja është akt moral, që bëhet për t’u hapur rrugë hetimeve. “Pra, kur emrin ta përmendin si kërcënim për fajde, duhet të jetë dorëheqja para hetimeve, e jo hetimet para dorëheqjes”.

“Pse nuk ka hetuar asnjë prokuror më përpara mbi këtë video? Sepse prokurorët e sistemi i drejtësisë i druhen Kadri Veselit. Sepse ky dhe njerëzit e tij e kanë bërë prokurorinë që t’u bindet”, theksoi VV-ja në deklaratën e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë