Ekspertët e Komitetit Teknik kanë njoftuar masat e reja të cilat mendohen se do të kufizojnë përhapjen e Covid-19. Masat hyjnë në fuqi të mërkurën për tre javë.
“Në bazë të shifrave rekomandimet e OBSh për këtë fazë, komiteti propozon të merren disa masa që i konsiderojmë të domosdoshme,” shpjegoi Rakacolli.
Masa e propozuara nga Komiteti i Ekspertëve janë:
-Kufizim i lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 06:00 me përjashtim për motive pune.
-Ndalohen baret e restorantet deri nga 22:00-06:00.
-Smart-working për administratën publike në zbatim të protokolleve të sigurisë. Përjashtim bëjnë strukturat të shërbimeve ofruese duke zbatuar protokollet e sigurisë.
Ndër të tjera ekspertët shpjeguan se është rritur transmetueshmëria e infeksionit të Covid-19 duke bërë që numri R të arrijë në 1.3.
“Masat për kufizimin e përhapjes së infeksionit Sars-Cov2, propozohen të qëndrojnë për një periudhë 3 javore me efekt rishikimi çdo dy javë në varësi të dinamikës së situatës epidemiologjike.
Propozohen të vendosen në të gjithë vendin pavarësisht përhapjes së epidemisë në vend. Sipas skenarëve të riskut, evidentohen zona me nivel të ulët të riskut, zona me nivel mesatar të riskut dhe zona me nivel të lartë risku.” u shpreh Rakacolli.
Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik theksoi se është rritur incidenca gjatë 2 javëve të fundit arritur deri në 30 persona për 100.000 banorë. Bino bëri thirrje për qytetarët që të marrin masa për të parandaluar koronavirusin ndërsa shtoi se institucionet shëndetësore janë të përgatitur për kryerjen e testeve shpejta të cilat janë teste të antigenit. Ndërkohë që do të përdoren 3 laboratore në sektorin publik.
Ndër të tjera Bino theksoi se vendi është ndarë me zona.
“Në zona të kuqe kemi Gjirokastrën, kemi disa zona veriore, Tiranën, Tepelenën, Tropojën. Zonat me portokalli kanë më pak raste, këtu kemi beratin, Devollin, Durrësin, Elbasanin, Kukësin, Kurbinin, Lezhën, Vlorën etj. Zona me më pak raste janë bashkitë e tjera të Shqipërisë. Kemi rritje të rasteve ndaj duhet të mbahen maskat. Maska duhet të mbahet në fytyrë e jo në gushë. Do të kryhen teste të shpejta. Kjo gjë bën që të ulë kohën e pritjes së qytetarëve. Nëse testi del pozitiv, atëherë duhet të zbatohet karantina,” shpjegoi Bino.
Bino theksoi se një masë tjetër e rëndësishme që do të merren është futja e testeve të shpejta që janë 100% specifike dhe testet e shpejta kanë ndikimin që ulin kohën e pritjes. Testet do të kryhen pranë qendrave shëndetësore ose spitaleve rajonale duke zbatuar disa udhëzime. Testi zgjat vetëm 40 minuta.
Ndërsa shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj theksoi se sot janë vendosur masat e mesme duke parë ecurisë së situatës në vendin tonë.
Ai shpjegon se ka pasur një rritje edhe të telefonatave nga 1300 që ishin, këtë muaj janë shtuar deri në 3000 thirrje në ditë. Më tej Brataj shtoi se janë marrë të gjitha masat për t’u shërbyer qytetarëve dhe autoambulancat janë të gjitha të pajisura.
Më tej zëvendësministrja Rakacolli shpjegoi se duke qenë se janë rritur rastet janë shtuar edhe pacientët. Ndërsa për sa i përket qëndrimit të pacientëve në autoambulanca përballë spitalit Infektiv, Rakacolli shpjegoi se kanë qëndruar për të kontrolluar pacientët për oksigjenimin e më pas t’i shtrojnë. Sipas Rakacollit nuk ka pasur asnjë moment mbushje të kapacitetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




