Ka ndodhur

Video/ ‘Shtëpi bari’ në Tiranë, sekuestrohen llamba, kanabis, para dhe një radio policie

Gazeta Si – Një banesë e përshtatur për kultivim të bimëve narkotike me llamba është zbuluar këtë të martë në Tiranë.

Policia thotë se në pranga kanë rënë dy persona, si dhe janë sekuestruar një shumë e madhe parash, pajisje për kultivimin e kanabisit, bimë dhe lëndë narkotike, radio si të policisë dhe sende të tjera. Mes të arrestuarve është edhe Leonardo Zela, nipi i Emiljano Shullazit (djali i motrës së tij).

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi  A.K., 38 vjeç, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, janë gjetur dhe sekuestruar vazo me fidanë kanabis të kultivuara, 31 llamba elektrike, një sasi rreth 140 gramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa, e cila ishte e ambalazhuar në 7 kavanozë qelqi të përmasave të ndryshme, një radio si ato që përdoren nga policia, një bllokues valësh dhe një detektor për kërkimin e GPS.

Operacioni ka vijuar edhe në zonën e ish-Parkut në Tiranë, ku ka rënë në pranga nipi iEmiljano Shullazit, Leonardo Zela, i akuzuar për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Zela u vu në pranga pasi tregonte kanabis në sasi të vogla dhe më pas ndante paratë me 38-vjeçarin A.K., i cili kujdesej për kultivimin e kanabisit në vazo lulesh dhe më pas e ruante atë në kavanozë prej qelqi.

Në shtëpinë e Zelës policia gjeti dhe sekuestroi një sasi kanabis gati për shitje, 4 kavanozë me lëndë narkotike, një peshore elektronike dhe shumat e parave të ndara në 11150 euro dhe 11.000 paund.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë