Pasditja e së premtes vijoi me procesin për shembjen e 10 godinave të Konvikteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës në Kamëz.
Njera prej tyre u shemb me shpërthim të kontrolluar. Familjet, të cilat ishin strehuar në to janë larguar. Godina u shemb në ora 15:30 me një shpërthim të komanduar. Mësohet se janë 10 godina të Universitetit Bujqësor që do të prishen.
Përveç forcave të xhenios, policisë së shtetit dhe policisë bashkiake, të pranishëm në vendngjarje ndodhen e gjithë kupola drejtuese e bashkisë së Tiranës nga kryetari Veliaj dhe drejtorët më të rëndësishëm. Po kështu Veliaj shoqërohet nga kreu i IKMT, Dallëndyshe Bici dhe kryebashkiaku i Brukselit, Philippe Close. Më pas iu është bashkuar dhe Kryeministri Rama. Kryeministri Rama theksoi se e gjithë zona do të transformohet, ndërkohë që studentët do të kenë kushte moderne. “Rektor, fazë e re për kampusin. Gjërat nuk vijnë të gjitha vetëm për të këqija. Vijnë edhe për të bërë ca të mira. Tani, në këtë rrugë e sipër nga çfarë ndodhi dhe çfarë u rrënua, duhet të rindërtojmë 100 herë më mirë seç ka qenë. Do bëhen konvikte që do jenë për të gjithë studentët e Universitetit Bujqësor, edhe mblidhen të gjithë këtu. Pastrohet gjithë situata dhe ata njerëz që ishin atje, që rrinin në ato kushte mizerabël të shkojnë nëpër shtëpi me qira. Ishin bërë të burgosur të vetë “liri demokracisë” që kujtuan se ju erdhi”, u shpreh Rama.
Kreu i Bashkisë, Erion Veliaj u shpreh se edhe inertet të cilat mbesin pas prishjes të këtyre godinave, do të përdoren për terminalin provizor që po bëhet tek kthesa e Kamzës. “Tani të gjitha këto përdoren si inerte për terminalin provizorë që po bëjmë tek kthesa e Kamzës, që në kohën tuaj në bashki ka qenë ideja terminalit aty. Momentalisht po transferojmë terminalin e “Shqiponja” që të hapet kantieri për të ndërtuar nënkalimin tek kthesa e Kamzës me përfundimin e këtyre inerteve atje, transferohet para Vititi të Ri terminali aty dhe fillon tek Unaza e Re”, tha Veliaj, teksa e njohu kryeministrin edhe me ecurinë e punimeve për shkollën e re në Kodër Kamëz, e cila ka hedhur edhe katin e dytë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.