Ngjarje

Video/ Protestë para ambasadës serbe në Tiranë kundër tensioneve në veri të Kosovës

Gazeta Si - Disa dhjetëra qytetarë në Tiranë, kanë protestuar këtë të premte para godinës së ambasadës së Serbisë në Tiranë kundër tensioneve në veri të Kosovës.

Në protestën nuk kanë munguar mesazhet e qytetarëve. “Jemi një”, “Pa u vra tradhtia, nuk bashkohet Shqipëria” , “Nuk dorëzohemi për së gjalli”, “Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta mes jush”, ishin disa thirrje që kanë zgjedhur protestuesit.

Ata mbanin në duar flamuj shqiptarë, një banderolë me një hartë ku përfshiheshin të gjitha trojet shqiptare pjesë të Republikës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe flamurin me mbishkrimin “Autochtonous”, të ngritur gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri në tetor të vitit 2014.

Tubimi u mbajt në të njëjtën ditë kur Gjykata Speciale në Hagë dënoi me 26 vite burg Salih Mustafën, një nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas protestës para ambasadës së Serbisë, ata marshuan drejt kryeministrisë. Manifestimi vjen pas situatës së tensionuar në veri të Kosovës.

Serbët e veriut, që nga data 10 dhjetor ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që të çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Këto veprime i ndërmorën pasi policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiç, nën dyshimet se ishte përfshirë në sulmet kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë