Ngjarje

Video/ Protestë para ambasadës serbe në Tiranë kundër kërcënimeve dhe tensionit në Kosovë

Gazeta Si - Me qindra qytetarë shqiptarë kanë protestuar para ambasadës së Serbisë në Tiranë këtë të martë në mbështetje të Kosovës pas situatës kritike në veri prej thuajse 3 javësh.

Protesta nisi me këndimin e himnit dhe përveç qytetarëve nga Shqipëria, ka pasur prezencë edhe të qytetarëve shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Tubimi është organizuar nga shoqëria civile dhe ata thonë se protestojnë kundër politikave destibilizueze dhe luftënxitëse nga Serbia.

Me flamurin e Shqipërisë, veshje popullore e simbole kombëtare ata mbajnë në duar pankarta: "Ne jemi një. Të gjithë trojet shqiptare janë me ty Kosovë".

Aktivistë të shoqërisë civile, deklaruan se ne duhet të shfaqemi si komb dhe jo si copa të kombit shqiptar, ndërsa kërkuan nga diplomacia shqiptare të deklarohen se janë kundër prekjes së qeverisë së Kosovës.

Reagimet e politikës shqiptare në Tiranë kanë qenë të pakta dhe aspak në sinkron, duke parë valën e tensionit dhe kërcënimeve nga ana e zyrtarëve të lartë serbë në lidhje me situatën kritike.

Për 18 ditë me radhë, rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën me Serbinë – janë të bllokuara nga barrikadat e ngritur nga disa serbë lokalë.

Serbët ngritën barrikadat pas arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiç, i cili, sipas autoriteteve të Kosovës, dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Ditët e fundit ka psur rritje të prezencës policore në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, “me qëllim që të ofrojë siguri për qytetarët” në atë zonë, sipas autoriteteve serbe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë