Gazeta Si – Një punonjës i Policisë Rrugore në Pogradec, është përjashtuar nga radhët e uniformave blu me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Shkak është bërë tejkalimi i kompetencave të tij ndaj pasagjerit të një automjeti, drejtuesi i të cilit ishte ndaluar ndaluar për përdorim celulari dhe mosvendosje të rripit të sigurimit gjatë drejtimit të mjetit.
Por mes punonjësit të rrugores A.S., dhe shoferit N.H., ka patur debate. Në një video amatore të publikuar në rrjetet sociale, polici i rrugores ishte filmuar duke debatuar fillimisht me shoferin, ndërsa në këtë kohë ka ndërhyrë edhe pasagjeri që ndodhej në mjet.
Në debat e sipër, polici ka goditur pasagjerin me shuplakë në kokë, i cili me sa duket nuk ka qenë dakord për vendosjen e masës administrative.
Ngjarja ndodhi të premten rreth orës 15:00 në lagjen Nr.3 në Pogradec. Për këtë punonjës policie ka nisur edhe hetimi penal nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec.
Gjithashtu, Rrumbullaku ka vendosur transferimin në një strukturë tjetër policore, për policin tjetër të rrugores, L.H., i cili nuk ka ndërhyrë për të parandaluar veprimin e paligjshëm të kolegut të tij.
“Veprimet hetimore ndaj këtij punonjësi policie u kryen pasi më datë 21.10.2022, në rrjete sociale është publikuar një material filmik ku ai shfaqet duke debatuar dhe goditur shtetasin A. T., i cili ishte pasagjer në një automjet që ishte ndaluar pasi drejtuesi i saj u konstatua duke përdorur telefonin dhe pa vendosur rrip sigurimi” thuhet në njoftimin e sotëm të AMP-së.
Që me ardhjen në krye të policisë së shtetit të Muhamet Rrumbullakut, efektivi i Rrugores së Pogradecit është i katërti që përjashtohet nga strukturat e forcave blu.
Javën e shkuar u përjashtua Florenc Bicerri, i cili u kap me lëndë narkotike në Stamboll si dhe dy efektivë të Komisariatit nr. 6 në datën 29 shtator, të cilët u filmuan duke marrë ryshfet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



