Gazeta Si – Një punonjës policie me detyrë inspektor në Lukovë, ka mbetur i plagosur rëndë mbrëmjen e të martës, teksa ndërhyri për të shuar sherrin mes dy personave në zonën e Pilurit.
Polici 28-vjeçar Redian Çaushaj prej disa orësh në sallën e operacionit në spitalin e Vlorës ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Siç raportohet zyrtarisht, rreth orës 23:00 të së martës, punonjësi i policisë, i cili ndodhej jashtë orarit të shërbimit, teksa kalonte në rrugë, pikasi dy persona që po konfliktoheshin me njëri-tjetrin.
Tentativa e tij për të ulur tensionet dështoi, pasi 60 vjeçari Theodhor Mërkuri e goditi me thikë dhe u largua menjëherë nga vendngjarja.
Pas 8 orësh kërkime dhe ndjekje, 60-vjeçari, i cili ishte fshehur në ambientet e ish-repartit ushtarak të fshatit Pilur, u kap dhe u vu në pranga për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë.
Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. P., 39 vjeç, banues në fshatin Pilur, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
“Gjatë përpjekjes për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, njëri prej tyre, shtetasi Th. M., 60 vjeç, nga fshati Pilur, e ka goditur me mjet prerës thikë dhe për pasojë punonjësi i Policisë është në gjendje kritike për jetën. Shtetasi Th. M. pasi ka goditur punonjësin e Policisë është larguar menjëherë duke përfituar nga errësira”, – njoftoi policia.
Në ndjekje të tij janë vënë shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, grupe të FNSH dhe të forcave operacionale të DVP Vlorë. Ndërkohë është ngritur grupi hetimor dhe vijon punën për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje”, thotë policia.

Balla: Ndëshkim të ashpër për autorin
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar pas plagosjes me thikë të policit 28-vjeçar mbrëmë në Himarë.
Në një reagim Balla ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të policit i cili po lufton për jetën në Reanimacionin e Spitalit të Vlorës dhe i bëri thirrje Prokurorisë së Vlorës që të bëjë një hetim të plotë, të pavarur dhe një ndëshkim të ashpër për fajtorin.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka vizituar policin e plagosur, Redin Çaushaj, i cili mbeti i plagosur me thikë në Himarë, pasi u fut për të shuar një sherr. Balla tha se autori duhet të marrë një dënim ekzemplar pasi kushdo që ngre dorën mbi efektivët e policisë, ka ngritur dorën ndaj shtetit.
“E ka kaluar rrezikun për jetën iu nënshtrua një operacioni që zgjati për disa orë që nga ora 1 e mëngjesit dhe deri në orën 8. Duhet të jetë e prerë, kushdo që do të ngrejë dorë kundër një punonjësi policie të mos i bindet urdhrit të një punonjësi policie, reagimi ynë do të jetë shumë i fortë. I kërkoj publikisht që ky rast të hetohet publikisht ndaj personit që tentoi të godasë punonjësin e policisë të ketë një dënim ekzemplar. Kushdo që godet një punonjës policie ka goditur shtetin”, – tha Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



