Lojëra me Dore

Video/ Përleshje masive në NBA, përjashtohet LeBron Xhejms për goditje me bërryl

LeBron Xhejms e godet me bërryl, Stjuart reagon dhe pastaj nis përleshja masive. U desh një ndërprerje e gjatë dhe dy lojtarë të përjashtuar për të rifilluar ndeshjen, që më pas u fitua nga Los Anxheles Lejkërs.

Ka ndodhur gjithçka në “Little Caesars Arena” në Detroit, ku për disa minuta u kujtuan imazhet e ndeshjes mes Pistons dhe Pejsërs e 19 nëntorit të 2004-ës, që është një nga faqet më të shëmtuara të historisë së NBA-së. Lejkërsat fituan 121-116 një ndeshje të veçantë, që kulmoi në periodën e tretë.

Xhejms dhe Stjuart nisën përplasjen, me lojtarin e Detroit që përfundoi në tapet. Nga përsëritja u pa se LeBron Xhejms e goditi me bërryl në fytyrë dhe Stjuartit nisi t’i dilte gjak. Lojtari i Detroit mezi u mbajt nga shokët e skuadrës, trajnerët dhe personat e sigurisë, pasi deshi të hakmerrej ndaj Xhejms.

Pas shumë minutash u vendos qetësia, ndërsa Stjuart u fut në dhomat e zhveshjes për t’u rikthyer në tapet nga një hyrje tjetër. Ai u bllokua dhe ndeshja mund të rifillonte, por pas përjashtimit të LeBron Xhejmsit dhe Stjuartit.

“E dinë të gjithë se LeBron nuk është një lojtar jokorrekt dhe i dhunshëm, - tha pas ndeshjes Antoni Devis. – Ai menjëherë shkoi të pajtohej me Stjuart, por nuk e di çfarë i kapi pastaj lojtarët e Detroit”. I qëllimshëm apo jo, gjesti i Xhejms është i papranueshëm dhe duket e vështirë që lideri i Lejkërsave ta evitojë skualifikimin me të paktën një ndeshje.

Me rifillimin e lojës, Pistons, me dy të përjashtuar (edhe trajneri Uestbruk, i konsideruar nga arbitrat si provokator), nisën rënien. Lejkërsat ia dolën të përmbysnin gjithçka, duke gjetur fitoren pas tri humbjesh radhazi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë