Gazeta Si - Një operacion i përbashkët mes policisë së Vlorës dhe Fierit, kundër kultivimit të lëndëve narkotike, çoi në pranga 3 persona. Pas operacionit, u pezulluan nga detyra e vunë nën hetim 3 punonjës të policisë së Vlorës.
Në një njoftim për mediat, policia tha se gjatë operacionit, në fshatin Bishan u gjetën të kultivuara mes një parcele me misër, 4.930 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Po ashtu, nga kontrolli i territorit, në afërsi të kësaj parcele është zbuluar një magazinë e përshtatur për tharjen e bimëve narkotike dhe përgatitjen e lëndës narkotike.
Në këtë magazinë u gjetën 198 kg lëndë narkotike në proces tharjeje, 2 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe një sasi fishekësh luftarak, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
“Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit: S. Ll., 40 vjeç dhe D. Ll., 18 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Bishan dhe D. M., 69 vjeç, banues në fshatin Bishan.
Po ashtu, policia thotë se “u referuan materialet në Prokurori, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit: B. H., 61 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Bishan. Si dhe për 3 punonjës policie, të cilët edhe janë pezulluar nga detyra, konkretisht: Nënkomisar K. P., me detyrë shef i Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Vlorë; Nënkomisar F. M., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Vlorë; Inspektor M. A., me detyrë ndihmësspecialist (SPZ) në Komisariatin e Policisë Vlorë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.