Gazeta Si – Opozita protestoi dhe paralizoi për 3 orë, me qëllimin për “mosbindje civile”, akset dhe rrethrrotullimet kryesore të vendit, duke nisur nga ora 17:00 deri në 20:00.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, Partia Demokratike e ka mbyllur protestën në orën 20:00 të mbrëmjes, duke zbatuar orarin e lejes të vendosur nga policia, edhe pse mbajti të bllokuar mbikalimin te Kthesa e Kamzës, rrethrrotullimet e Shkozetit, Bradasheshit, Levanit dhe Rrogozhinës, si dhe kryqëzimin e Milotit.
Pavarësisht djegies së disa gomave në Shkozet, Milot e Tiranë, gjithçka u duk se po shkonte qetë, edhe pse ka pasur radhë kilometrike automjetesh.
Por rreth orës 19:00, një orë para fundit të protestës, ka pasur tension dhe përplasje mes tubuesve dhe forcave të FNSH-së, të cilat ishin stacionuar te Kthesa e Kamzës në Tiranë pranë ish-sheshit “Shqiponja”, një nga 6 akset që janë bllokuara. Përveç gomave, protestuesit i vunë flakën edhe kazanëve të plehrave në kryeqytet.



Incidentet kanë nisur pak pasi Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe deputetja Albana Vokshi u kërkuan efektivëve të largohen dhe të mos provokojnë qytetarët, përndryshe ata do t’i drejtohen shtëpisë së kryeministrit Edi Rama në Surrel.
Thirrjeve dhe përpjekjeve të forcave të policisë për të shpërndarë turmën, protestuesit iu përgjigjën me gurë.
“Rrini këtu ju gjasme për të mbrojtur, kë do të mbroni? Do të mbroni narkotrafikantët. Nuk meritoni të udhëhiqeni nga një drejtor që është përfshirë në krimin e organizuar. Të largohet kjo uniformë, në të kundër, Surreli do të jetë destinacioni i protestuesve. Drejtor, largo policinë”, tha Noka.



Sakaq, rreth orës 19:20 u hap qarkullimi në Elbasan dhe Durrës, ku protestuesit janë larguar nga rrethrrotullimi i Bradasheshit pa incidente të dhunshme.
Përplasje verbale me policinë u shënua vetëm në Elbasan, ku Tomorr Alizoti e Ivi Kaso kritikuan forcat e rendit, madje duke i akuzuar se provokuan protestuesit që kishin bllokuar rrethrrotullimin e Bradasheshit.
Shumica e deputetëve të opozitës u vendosën në Tiranë, kurse pjesa tjetër në zonat ku u zhvillua protesta. Dhjetëra forca policore dhe zjarrfikëse ishin në terren për të shmangur çdolloj përshkallëzimi të tubimit.
Protesta është shtrirë te Mbikalimi i Kthesës së Kamzës, në hyrje të Tiranës, Segmenti “Casa Italia – Sheshi Shqiponja”; Rrethrrotullimi Milot; Rrethrrotullimi Shkozet; Rrethrrotullimi Bradashesh; Rrethrrotullimi Rrogozhinë; Rrethrrotullimi Levan.
Menjëherë pas nisjes së protestës në akset e bllokuara, policia i ka orientuar drejtuesit të lëvizin nëpër akse dytësore, pasi në çdo segment të bllokuar, u krijuan radhë të gjata në trafikun e automjeteve.
Policia i bëri thirrje protestuesve që kanë bllokuar aksin në Shkozet që të lirojnë rrugën pasi është vepër penale. “Dënohet deri në 3 vite burg ju lutem hapuni rrugën policia e shtetit ju bën thirrje largohuni nga rruga, mos pengoni qarkullimin e automjeteve, deri në 3 vite burg”, – ka apeluar policia me megafon.
Mirëpo protestuesit kanë kundërshtuar thirrjet e policisë dhe kanë filluar djegiet e gomave në mes të rrugës në Shkozet të Durrësit dhe Milot.
Fluksi më madh i automjeteve është pranë ish-sheshit “Shqiponja”, ku ishte planifikuar të jetë pika e përqendrimit të protestuesve.
Ndërkohë, njerëz këmbëkryq janë ulur në Milot, duke bllokuar rrugën nacionale, ku prej disa minutash protestuesit kanë bllokuar rrugën Lezhë-Tiranë. Automjetet janë fikur në rrugë ndërsa qytetarët kanë dalë në rrugë për të mos lejuar lëvizjen.






Policia kishte angazhuar 1200 efektivë në të gjithë vendin për mbarëvajtjen e protestës, por edhe të koordinuar trafikun në rast bllokimesh.
Protesta e kësaj të marte ishte në vazhdën e tubimeve që Partia Demokratike ka zhvilluar prej burgosjes së deputetit Ervin Salianji dhe gjatë së cilave është bërë thirrje për qeveri teknike, rrëzimin e Edi Ramës dhe lirimin e kryetarit të tyre Sali Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.